Liqenet akullnajore të Parkut Kombëtar Shebenik, një mrekulli natyrore shqiptare

E fshehur mes bukurive alpine të Parkut Kombëtar të Shebenikut, Maja e Rreshpës (2262 m) ngrihet madhështore si pika më e lartë e këtij parku, duke ofruar një panoramë spektakolare dhe një pasuri natyrore me vlera të rralla kombëtare e shkencore. E mbuluar nga dëbora dhe e rrethuar nga pyje të dendura ahu dhe reliev malor mahnitës, kjo majë përfaqëson një nga thesaret më autentike të natyrës shqiptare.

Një nga atraksionet më mbresëlënëse të Shebenikut janë liqenet akullnajore, dëshmi e qartë e historisë gjeologjike të zonës. Brenda parkut numërohen 14 liqene akullnajorë, të pozicionuar mbi 1900 metra mbi nivelin e detit, që i japin zonës një karakter unik alpin. Veçanërisht pranë fshatit Rrajcë të rrethit Librazhd, në një lartësi rreth 2200 metra, ndodhen katër liqene akullnajore të veçuara nga njëri-tjetri nga depozitime morenike, me përmasa mbresëlënëse ,gjatësi e gjerësi mesatare 100–200 metra, gjerësi 80–100 metra dhe thellësi që arrin deri në disa metra.

Këto liqene dallohen për ujin e tyre të pastër si kristali dhe jashtëzakonisht të ftohtë, që gjatë dimrit ngrin në sipërfaqe, duke krijuar pamje përrallore. Ato strehojnë një botë të pasur të gjallë dhe formojnë një ekosistem të veçantë të liqeneve alpine, me rëndësi të madhe ekologjike. Vlerat e tyre janë të shumanshme ,shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, biologjike), por edhe estetike, didaktike, kulturore dhe turistike, duke i kthyer në një laborator natyror për studiuesit dhe një destinacion ëndrrash për dashamirësit e natyrës.

Parku Kombëtar i Shebenikut është gjithashtu një burim i rëndësishëm ujor. Nga ky masiv malor burojnë dy lumenj kryesorë dhe disa burime të vogla ujore që përshkojnë zonën ,në veri lumi i Qarrishtës, i cili bashkohet me lumin Rrapun, dhe në jug lumi i Bushtricës, që derdhet në lumin Shkumbin, duke luajtur një rol të rëndësishëm në ekuilibrin natyror të rajonit.

Për vizitorët dhe aventurierët, kjo perlë natyrore mund të arrihet përmes rrugës rurale Prrenjas – Rrajcë Skënderbej, një itinerar që të shoqëron mes peizazheve të virgjëra dhe qetësisë alpine. Maja e Rreshpës dhe liqenet e Shebenikut nuk janë thjesht një destinacion turistik, por një thirrje për të zbuluar, mbrojtur dhe vlerësuar pasurinë e jashtëzakonshme natyrore që Shqipëria fsheh në zemër të saj.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Me sallën e re, “Onufri” bëhet qendër e artit dhe komunitetit në Elbasan

Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, së bashku me drejtoreshën...

Nga nesër hyn në fuqi Sistemi Europian i Hyrje-Daljes (EES)

TIRANË, 9 prill/Albania Express News/ Qytetarët shqiptarë që udhëtojnë...