Cake: Kualifikimi në Botërorin 2026 është i mundur

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare të futbollit, Klisman Cake shfaqet optimist për rrugëtimin e drejt Botërorit 2026.

Një nga afrimet më të fundit në ekipin kuqezi ka deklaruar se objektivi i madh është i arritshëm dhe se grupi beson fort te kualifikimi.

Në një intervistë për FShF TV, mbrojtësi 26-vjeçar u shpreh se ëndrra e çdo shqiptari për të parë Kombëtaren në Botëror mund të bëhet realitet.

“Besojmë se mund të shkojmë më tej. Ka qenë ëndrra e çdo shqiptari dhe ne besojmë se mund ta realizojmë”, u shpreh Cake.

Shqipëria do të luajë më 26 mars në Varshavë përballë Polonisë, në gjysmëfinalen e fazës “play-off”.

Në rast kualifikimi, kuqezinjtë do të përballen më 31 mars, sërish në transfertë, me fituesin e ndeshjes Ukrainë-Suedi, për një vend në Botërorin 2026.

Ndërkohë, Cake ka folur edhe për zgjedhjen e tij në nivel klubi, pasi gjatë merkatos së dimrit u transferua te Akhmat Grozny, skuadër që militon në Superligën ruse.

“Dihet që niveli i futbollit në Rusi është më i lartë. Jam shumë i lumtur që ndodhem aty për momentin. Kisha edhe oferta të tjera, por kjo na u duk zgjedhja më e mirë”, deklaroi mbrojtësi.

Gjatë karrierës së tij, Klisman Cake ka qenë pjesë e skuadrave Tirana, Struga dhe Shkëndija e Tetovës, ndërsa tashmë synon të konsolidohet edhe në arenën ndërkombëtare me fanellën kuqezi.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME