Kupa e Shqipërisë ka hyrë në fazën më vendimtare të këtij edicioni. Shorti i hedhur mesditën e sotme në “Shtëpinë e Futbollit” përcaktoi përballjet çerekfinale, duke vendosur skuadrat përballë sfidave që do të ndajnë pretenduesit realë nga gara për trofeun.
Në ceremoninë e shortit morën pjesë përfaqësues të klubeve pjesëmarrëse, të mediave sportive, si edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Në një përshëndetje të shkurtër përpara hedhjes së shortit, Presidenti Duka kërkoi nga skuadrat të jenë sa më fair-play në fushën e loës dhe mbështetje masive nga tifozët ashtu sikurse edhe në kampionat, duke e cilësuar Kupën e Shqipërisë si një nga eventet më të rëndësishme në Shqipëri.
Të kemi sa më shumë spektatorë në shkallët e stadiumeve për ta mbështetur edhe këtë kompeticion të rëndësishëm të Shqipërisë, njësoj si kampionatin shqiptar. Edhe njëherë urime e suksese në vazhdim të Kupës së Shqipërisë. Njëri do fitojë Kupën, por të gjithë do fitojnë atë që është më e rëndësishme, zhvillimin e lojës së futbollit” – tha Presidenti Duka në ceremoninë e hedhjes së shortit.
Pas hedhjes së shortit, u përcaktuan këto çifte çerekfinale:
Teuta – Egnatia, 11 shkurt/ Egnatia – Teuta, 4 mars
Tirana – Dinamo City, 11 shkurt/ Dinamo City – Tirana, 4 mars
AF Elbasani – Partizani, 11 shkurt/ Partizani – AF Elbasani, 4 mars
Bylis – Vllaznia, 11 shkurt/ Vllaznia – Bylis, 4 mars
Ndeshjet e para do të luhen më 11 shkurt në fushën e ekipeve të vazos 2, ndërsa takimet e kthimit do të zhvillohen më 4 mars, në sfida që pritet të jenë mjaft të luftuara dhe vendimtare për fatin e këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë.
Çerekfinalet premtojnë spektakël dhe përballje të nivelit të lartë, në një kompeticion ku çdo ndeshje tashmë vlen sa një finale.

