113 vjet shërbim, sakrificë dhe përkushtim: Policia e Shtetit feston në Elbasan

Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan u zhvillua ceremonia zyrtare me rastin e 113-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit shqiptar, një ngjarje që solli në vëmendje historinë, sakrificën dhe misionin fisnik të uniformës blu në shërbim të rendit, sigurisë dhe qytetarëve.

Ceremonia u organizua nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, Drejtues Fatmir Hoxha, dhe mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore, komuniteteve fetare, familjarë të dëshmorëve të Policisë së Shtetit, veteranë, si edhe punonjës të strukturave të DVP Elbasan. Prania e tyre i dha aktivitetit një dimension solemn dhe reflektues, duke nderuar kontributin e çdo brezi që ka shërbyer nën emblemën e Policisë së Shtetit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori Fatmir Hoxha u shpreh se 113-vjetori i Policisë së Shtetit përfaqëson një rrugëtim të gjatë shërbimi, sakrifice dhe përkushtimi ndaj ligjit dhe qytetarëve, duke falënderuar njëherazi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj punës së Policisë.

Gjatë ceremonisë, Drejtori Hoxha përcolli edhe mesazhin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, drejtuar punonjësve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Mesazhi ishte vlerësues dhe motivues për sakrificën e përditshme të efektivëve, duke theksuar se çdo punonjës policie gëzon mbështetjen absolute të drejtuesve për të përmbushur me profesionalizëm, përkushtim dhe ndërgjegje misionin e Policisë së Shtetit.

Një moment i veçantë i ceremonisë iu kushtua shprehjes së mirënjohjes së pakufishme për veprën sublime të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, njëkohësisht Dëshmorë të Atdheut, gjaku i të cilëve qëndron i gdhendur në flamurin kombëtar dhe në themelet e shtetit shqiptar.

Më pas, fjalën e morën përfaqësues të institucioneve partnere, ku Kryeprokurori i Elbasanit, z. Kreshnik Ajazi, shprehu respektin dhe vlerësimin për punën e palodhur dhe përkushtimin e Policisë së Shtetit, ndërsa Drejtoresha e ZVA-së, znj. Vesa Liço, theksoi sakrificën dhe rolin thelbësor të Policisë në garantimin e sigurisë dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

Në përmbyllje të ceremonisë, si simbolikë festive dhe njëherazi si dëshmi konkrete e vlerësimit institucional, u nderuan me certifikata “Për Shërbime të Dalluara” dy punonjës të strukturave të Policisë së Shtetit, z. Fatos Tresa dhe z. Pllumb Radiçi, për kontributin dhe përkushtimin e tyre profesional në shërbim të rendit dhe sigurisë publike.

113 vjet Polici Shteti – një histori që vijon të shkruhet çdo ditë me devotshmëri, përgjegjësi dhe besnikëri ndaj ligjit dhe qytetarëve.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME