Pavarësisht motit me shi dhe temperaturave të ulëta, besimtarët ortodoksë në Elbasan u mblodhën sot për të kremtuar me përkushtim Ditën e Ujit të Bekuar, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit fetar.
Nën drejtimin e Mitropolitit të Elbasanit, Librazhdit dhe Shpatit, Imzot Andon Merdani, Kisha Ortodokse “Shën Nikolla” organizoi ritualin tradicional të hedhjes së Kryqit në ujë, i cili edhe këtë vit u zhvillua në një nga pishinat e qytetit, ku ceremonia është kthyer në një traditë të përvitshme.
Sipas zakonit, tre të rinj u hodhën në ujërat e ftohta për të kapur Kryqin, duke sfiduar kushtet atmosferike dhe duke dëshmuar besimin dhe guximin e tyre. Momentin më të shumëpritur e bëri të veçantë 14-vjeçari Hermes Halili, nxënës i shkollës “Jeronim De Rada”, i cili arriti të nxjerrë Kryqin nga uji mes duartrokitjeve dhe emocionit të besimtarëve të pranishëm.
I lumtur dhe i emocionuar, Hermes Halili përcolli urimin e tij për shëndet, paqe dhe mbarësi për të gjithë, duke e konsideruar këtë moment si një bekim të veçantë për veten dhe familjen e tij.Imzot Andon Merdani ,Mitropoliti i Elbasanit, Librazhdit dhe Shpatit u shpreh:
“Sot kremtojmë Pagëzimin e Zotit tonë Jezu Krisht dhe bekimin e ujërave, një ditë që na fton në pastrim shpirtëror dhe në forcimin e besimit. Ky ritual i shenjtë na kujton rëndësinë e dashurisë, paqes dhe unitetit mes njerëzve. Është një gëzim i veçantë të shohim pjesëmarrjen e të rinjve, të cilët mbajnë gjallë traditat tona.”
Ndërsa ,Hermes Halili ,Kapësi i Kryqit u shpreh:
“Isha shumë i emocionuar në momentin që u hodha në ujë dhe arrita të kap Kryqin. Për mua është një bekim i madh dhe një ndjesi që nuk përshkruhet me fjalë. I uroj të gjithëve shëndet, mbarësi dhe një vit sa më të begatë.”
Dita e Ujit të Bekuar kremton Pagëzimin e Krishtit, ndërsa kapja e Kryqit simbolizon pastrimin shpirtëror dhe ndriçimin e besimtarëve. Në përfundim të ceremonisë, besimtarët morën ujë të bekuar, të cilin e ruajnë gjatë gjithë vitit për të spërkatur shtëpitë dhe për të sjellë bekim në familjet e tyre.

