Policia Rrugore e Elbasanit ka kaluar në gatishmëri të shtuar për shkak të fluksit të lartë të qarkullimit rrugor në akset kryesore që lidhin Tiranën me juglindjen dhe jugun e vendit. Lëvizja e shtuar e automjeteve në drejtim të Korçës, Vlorës dhe anasjelltas ka sjellë ngarkesë të konsiderueshme trafiku dhe qarkullim të ngadalësuar në disa segmente rrugore.
Për të menaxhuar situatën dhe për të shmangur bllokimet, shërbimet e Policisë Rrugore kanë vendosur patrulla shtesë në pikat më problematike, duke garantuar ndërhyrje të menjëhershme dhe një qarkullim sa më të rrjedhshëm. Paralelisht, janë forcuar masat parandaluese për rritjen e sigurisë rrugore, përmes monitorimit të vazhdueshëm me radarë automatikë, automjete inteligjente dhe patrulla të lëvizshme.
Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mjeteve që, kur është e mundur, të përdorin rrugë alternative, veçanërisht në drejtim të Vlorës dhe Gjirokastrës, si dhe të tregojnë durim në lëvizje, të respektojnë rregullat e qarkullimit, distancën e sigurisë dhe të shmangin parakalimet e rrezikshme që mund të kthehen në burim aksidentesh.
Autoritetet ftojnë qytetarët të bashkëpunojnë duke zbatuar udhëzimet e Policisë dhe duke denoncuar çdo shkelje në numrin pa pagesë 112, me qëllim garantimin e një qarkullimi të sigurt dhe mbrojtjen e jetës në rrugë.

