Fotografi i famshëm britanik Martin Parr ndërron jetë në moshën 73-vjeçare

Fotografi i njohur dokumentar britanik Martin Parr, i cili u bë i famshëm për imazhet e tij të gjalla që pasqyruan jetën e përditshme në Mbretërinë e Bashkuar, ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare.

Lajmi u konfirmua për BBC News nga drejtoresha e Martin Parr Foundation, Jenni Smith, e cila tha se fotografi ndërroi jetë të shtunën në banesën e tij në Bristol. Fondacioni njoftoi se ai do të “mungojë shumë”, duke shtuar se ai lë pas bashkëshorten Susie, vajzën Ellen, motrën dhe nipin. Familja ka kërkuar privatësi.

Parr u bë i njohur në mesin e viteve 1980 me projektin fotografik The Last Resort, një studim i jetës së shtresës punëtore në New Brighton të Merseyside. Imazhet e tij, të njohura për ngjyrat e saturuara dhe kapjen e detajeve të vogla të përditshmërisë, shpesh përmbanin humor, por edhe nxisnin debat publik.

“Unë bëj fotografi serioze të maskuara si argëtim”, kishte deklaruar ai në një intervistë për The Architectural Review.

Gjatë më shumë se 50 viteve të karrierës, Parr dokumentoi me sy kritik, por empatik, ritualet dhe paradokset e jetës britanike – nga qytetet bregdetare të braktisura te panairet lokale dhe qendrat moderne tregtare.

Fotografitë e tij të famshme në New Brighton, të cilat kapnin pushues mes mbeturinave dhe hapësirave të amortizuara, ngjallën polemika në kohën e publikimit, pasi sfidonin perceptimet e publikut për klasën punëtore dhe realitetet e veriut të Anglisë.

Në një intervistë të muajit të kaluar për AFP, Parr u shpreh se bota ka nevojë më shumë se kurrë për llojin e satirës që përçonte në punët e tij. “Gjendja ku jemi është e tmerrshme. Po konsumojmë më shumë sesa mund të përballohet. Është e paqëndrueshme,” deklaroi ai.

Diane Smyth, redaktore e British Journal of Photography, e quajti Parr “një gjigant të fotografisë së pasluftës” në një homazh publik. Ndërsa bashkëpunëtori i tij i gjatë, Jonathan Stephenson, tha për BBC News se ai ndërroi jetë “në paqe, duke parë ndeshjen e futbollit”, duke e përshkruar si “mik besnik dhe frymëzues”.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Rama: Nuk ka ngadalësim të procesit të integrimit në BE, Shqipërisë po i buzëqesh fati

Kryeministri Edi Rama u shpreh ka nuk ka ngadalësim...

Erëra të forta dhe përmbytje në Greqi , dallgët në det deri në 4 metra të larta

Greqia ka kaluar një 24-orësh jashtëzakonisht të vështirë për...

Përtej Varshavës dhe Valencias, Shqipëria e Sylvinhos mes “tavanit” dhe shpresës

Nga Endi Tufa Fërshëllima e fundit në ndeshjen ndaj Ukrainës...