Në qytetin e Elbasanit, në një atmosferë përkushtimi dhe bashkimi shpirtëror, u zhvillua dje një prej veprimtarive më të rëndësishme të viteve të fundit për historinë e bektashizmit. Simpoziumi Ndërkombëtar për historinë dhe sfida të Bektashizmit, një event që bashkoi studiues të shquar nga Ballkani, Europa dhe Azia, duke e ngritur nivelin shkencor dhe kulturor të Gjyshatës së Elbasanit në një stad të ri.

Haxhi Baba Ardit Selmani, drejtuesi shpirtëror i Gjyshatës së Elbasanit, theksoi në fjalën e tij mirënjohëse se ky simpozium shërbeu si një dritë e re mbi rrugën e Hynqar Haxhi Bektash Veliut dhe mbi përpjekjet shekullore të klerikëve bektashianë. Salla u mbush me klerikë, besimtarë, intelektualë e studiues nga Shqipëria e mbarë bota, të cilët me diskutimet e tyre sollën njohuri të reja, dokumente të pa botuara më parë dhe një energji të jashtëzakonshme bashkimi.

Studiues të shquar dhe kontribute të vyera
Në simpozium morën pjesë figura të rëndësishme akademike dhe fetare:
• Dr. Manuel De Jesús Núnes Chavarria, Spanjë
• Prof.Dr. Radwa Omar ,Egjipt
• Dr. Erdal Kalayci ,Austri
• Prof.Asoc.Dr. Memish Merdan ,Bullgari
• Prof.Dr. Metin Omer ,Rumani
• Prof.Dr. Fahri Maden – Turqi
• Halife Baba Haxhi Dursun Gumusoglu ,Turqi
• Dr. Alban Dobruna ,Kosovë
• Studiuesit shqiptarë Dr. Ermir Gjinishi dhe Prof.Dr. Shyqyri Hysi, të cilët, së bashku me kolegët e huaj, hodhën dritë mbi teqe historike, si ajo e Kajgysus Sulltanit, e Baba Demirit në Bullgari apo e Baba Rexhebit në SHBA.
Zbulimet e reja historike, dokumentet e papublikuara dhe analizat e detajuara i dhanë këtij simpoziumi një peshë të veçantë shkencore dhe kulturore. Këto kontribute, sipas Haxhi Baba Ardit Selmanit, “e madhërojnë akoma më shumë bektashizmin shqiptar dhe ngrenë lart sakrificat e klerikëve tanë nëpër shekuj.”

Fjalë mirënjohjeje për mbështetësit e veprimtarisë
Drejtuesi i Gjyshatës së Elbasanit shprehu falënderimet e tij të veçanta:
• Znj. Klodiana Spahiu, Nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë, për praninë dhe vlerësimet e saj mbështetëse.
• Z. Albert Malaj, Kryetar i Bashkisë Memaliaj, për ndihmën e qëndrueshme dhe fjalën inkurajuese.
• Halife Baba Haxhi Dursun Gumusoglu, për rolin e tij si urë lidhëse mes komuniteteve bektashiane dhe fjalën dedikuar Haxhi Baba Faik Selmanit.
• Sheh Hysen Shehu, kryetar i tarikatit alveti të Jugut, për vëmendjen dhe kontributin e çmuar.
• Sheh Redi Sheko dhe Sheh Vullnet Merja për mbështetjen e vazhdueshme, transmetimet e Kuranit Qerim dhe përkujdesjen shpirtërore.
• Komunitetit Bektashian Ballkanik, për bashkëpunimin e shkëlqyer akademik dhe fetar.
Falë tyre dhe gjithë studiuesve të ftuar, veprimtaria mori një dimension të ri, të pasur dhe të dobishëm për të ardhmen e studimeve bektashiane.

Një vlerë e shtuar për bektashizmin shqiptar
Haxhi Baba Ardit Selmani e konsideroi këtë simpozium një sukses të jashtëzakonshëm, ku intelektualizmi, përkushtimi dhe korrektësia u ndërthurën për të krijuar një ngjarje model në botën akademike dhe fetare.
“Ne kemi qenë dhe mbetemi besnikë të Rrugës së Hynqar Haxhi Bektashit, duke transmetuar vëllazëri pa kushte” ,theksoi ai në mbyllje.
Simpoziumi i Elbasanit dëshmoi edhe një herë se bektashizmi shqiptar është një pasuri e madhe shpirtërore, kulturore dhe historike, e cila vazhdon të ndriçohet nga drita e dijes dhe puna e palodhur e klerikëve dhe studiuesve nga mbarë bota.


