Nga Dr.Ermir GJINISHI
Instituti i Studimeve Europiane
Univeriteti i Tiranës
Konteksti historik, epistologjik dhe doktrinor.
Bektashizmi, i përhapur në Shqipëri si në asnjë vend tjetër të ballkanit, me origjinë nga viset e Anadollit, u shfaq rreth shek.14. Bektashinjtë u shfaqën së pari në formën e një urdhëri dervishësh në pjesën aziatike të Perandorisë Osmane. Emrin Bektashizëm e mori nga themeluesi i saj Haxhi Bektash Veliu, i cili lindi në Nisabor të Horasanit më 1248. Ai, në vitin 1282, themeloi teqenë e parë bektashiane në botë, e cila pati rolin e qendrës së përgjithshme bektashiane, në vendin e quajtur “Sulxhe Kara Ujuk” (Anadoll). Haxhi Bektash Veliu ndërroi jetë më 1341 në moshën 93 vjeçare dhe vendin e tij e zuri Hadër Lala Babai, i cili ishte i martuar dhe themeloi dinastinë e Celepinjëve. Më pas, drejtimin e urdhërit bektashian e mori Balim Sulltani (lindi më 1472) i cili iu kthye traditës së H.Bektash Veliut. Ai u quajt nga bektashinjtë Piri* i Dytë i Bektashizmit, sepse rivendosi sistemin e virgjërimit.
Ky urdhër mistik e ka origjinën në viset kufitare të Anadollit ku bashkekzistonin kristianizmi, paganizmi dhe islami. Misionarët bektashinj në ballkan, gjatë predikimeve të tyre, nuk linin të kuptonin se i përkisnin një sekti islam. Ata shpesh punonin si murgj të krishterë dhe ndonjëherë predikonin parimet e tyre si të Jezu Krishtit. Kjo për arsye të ruajtjes nga persekutimi. Të vërtetën islame të tyre ua shpallnin vetëm pasuesve besnikë. Këtë praktikë ndoqi dhe Sari Salltëku, misionar i njohur bektashian në hapsirat ballkanike. Bektashinjtë i ndërtonin teqetë e tyre rreth 6 orë larg njëra-tjetrës. Kjo bënte që kudo të udhëtoje në Perandorinë Osmane, mund ta kaloje natën në teqetë bektashiane nën bujarinë e dervishëve.

Studiuesit, ndërmjet paralelizmave mbi praktikat fetare bektashiane, kanë dhënë mendime të diferencuara. Shpeshherë e paraqesin bektashizmin më afër të krishterëve sesa muslimanëve, ose as muslimanë e as të krishterë, apo islam për perëndimin. Në fakt se sa të përkushtuar kanë qenë bektashinjtë ndaj fesë islame e tregon fakti se Et’hem Beu i cili ndërtoi xhaminë që ndodhet sot në qendër të Tiranës dhe mban emrin e tij, i përkiste sektit bektashi.
Dela Roka në optikën e tij, por më shumë me vlerësimin optimist, tek krahason praktikat që ai i quan liberale të bektashizmit përballë sunizmit, arrin në përfundimin se bektashizmi është një islam perëndimor.
Aleksandër Popoviç jep përkufizimin se bektashizmi është një sinkretizim i dalë nga shi’izmi dhe i ndikuar nga besime të tjera.

Peter Bartl tek vë në dukje pozitën që i jepnin Aliut bektashinjtë, i sheh praktikat e tyre të lidhura me frymëzime të vjetra pagane dhe shi’ite. Ai thekson se bektashinjtë dallohen nga prirjet e tyre shi’ite por nuk u pranuan si të tillë nga sh’itët persianë. Tek bektashinjtë ishte i përhapur dhe besimi tek një shtegtim i shpirtrave sipas të cilit pas vdekjes shpirti kalon tek një kafshë.
Një përkufizim interesant për bektashizmin sjell Birge J.K. kur shprehet se: Bektashinjtë janë një urdhër islamik heterodoks i cili është përhapur në shumë vende ballkanike nën perandorinë osmane . Ndërsa Ali Basha bashkohet me shumë historianë e teologë të tjerë, kur shqyrton ndikimin apo interferimin e kulturave, besimeve e filozofive të lashta, në vendin ku jetoi dhe u formua themeluesi i bektashizmës Haxhi Bektash Veliu, Persinë.
Studiues të tjerë e shohin ngritjen, deri në glorifikim, që i bëjnë bektashinjtë Aliut si një shprehje të trinitetit të krishterë (Allah, Muhamed, Ali).
Sipas klerit bektashian, bektashizmi është një urdhër mistik, i cili qëmton rrugën e cila të shpie në afrimin me Zotin, nëpërmjet praktikave mistike, si në shumë urdhëra të tjerë, të cilat kanë si qëllim ta ç’veshin njeriun nga ç’do gjë përveç Zotit. Një panoramë të qartë e të zgjeruar mbi bektashizmin përcjell libri i Baba Rexhepit “Misticizma Islame dhe Bektashizma” , themeluesi i teqesë bektashiane në Detroit, ku citon se: Bektashinjtë respektojnë dhe ndjekin të gjitha urdhëresat islame të bazuara në dy burimet e besimit islam: Kur’ani dhe tradita profetike. Përveç normave të përgjithshme islame praktikon dhe specifika të veçanta siç është agjërimi i Matemit i cili lidhet me ndodhitë e Qerbelasë.

Bazat apo parimet e bektashizmës të vëna nga H.Bektash Veliu dhe të ndjekura më pas nga Ballim Sulltani dhe pasuesit e tjerë, përmbledhtazi janë këto:
1-Kur’ani
2-Tradita e Profetit Muhamed(a.s)
3-Parimi tjetër thotë se sa respekt t’i kushtohet personit të Profetit Muhamed(a.s), aq duhet t’i kushtohet dhe familjes së tij (Ehli Bejtit)
4-Të zbulosh veten jashtë instikteve negative e ta ngresh atë në nivelin e duhur drejt përsosmërisë .
Megjithatë, përveç faktit historik, nuk duhet anashkaluar dhe fakti doktrinor i bektashizmës. Shpeshherë njerëzit jipen përballë disa realiteteve që shohin duke harruar të bëjnë ballafaqimin përmbajtje – formë, për të analizuar më kthjellët diferencën ndërmjet mesazhit që konsistohet, me deviacionet që pëson ai rrugës.
Në fakt bektashizmi, i shfaqur fillimisht si një urdhër dervishësh, është një sekt islamik me koncepte të përziera shi’ite, mistike e huazime kulturash të vjetra, me specifikat e tij heterogjene të veçanta, të përmbledhura brenda vetes.
Historianët e feve përcaktojnë dy etapa të cilat formuan mendimin bektashian:
1-Etapa e parë i përket shekullit të parë të shfaqjes së tij, ku ai pati karakteristika kryesisht mistike.
2-Etapa e dytë përmbledh periudhën pas shekullit të parë e në vazhdim, gjatë së cilës bektashizmi mori nuanca shi’ite të përziera dhe me forma të kulturave lindore-aziatike .
Parametrat e Shi’izmit të bektashinjëve mund të përcaktohen me dy tregues themelorë që bashkojnë të gjitha sektet e tjera shi’ite:
– Së pari, vlerësimin e veçantë që kanë për Aliun, deri në hyjnizimin e tij.
– Së dyti, lidhjen prej gjaku që i bëjnë Haxhi Bektash Veliut me njërin prej dymbëdhjetë imamëve Musa Qazimit pavarësisht se shi’itët persianë nuk e pranojnë një gjë të tillë.
– Së treti, disa praktika të tyre janë të huazuara nga sekte të tjera, ku janë prezente dhe kanë ekzistur para tij. Tek libri “Makalat” (Diskurse) që mendohet se është shkruar nga H.Bektashi, rruga mistike si në të gjitha sektet e tjera kalon në katër dyer: 1- Sheriati (ligij islam) 2- Tarikati (mësimet e sektit) 3- Marifeti (dituria mistike) 4- Hakikati (përvoja direkte e vërtetësisë).
Ndërsa një pjesë tjetër e këtyre praktikave ekzistojnë edhe sot, shpeshherë si gojëdhëna, në kulturat e popujve të lindjes si psh: kalimi i shpirtit në qenie të tjera pas vdekjes, panteizmi (shkrirja e Zotit me natyrën), përkujtimi i të vdekurve me qirinj të ndezur, murgjërimi etj. Por, në origjinë bektashizmi është urdhër mistik.

Nga Anadolli në Shqipëri.
Themeluesi i urdhërit, Haxhi Bektash Veliu, njihet si bashkëkohës i Xhelaludin Rumiut. Urdhëri bektashian u përhap në Shqipëri rreth shek.XV nga jenicerët, ndjekësit bazë të tij, por gjurmët e tij në vendin tonë datojnë në shekullin e XIV në Sari Salltëk të Krujës. Evlija Çelebiu sjell të dhëna për ekzistencën e disa tyrbeve në Shqipëri që nga gjysma e shek.17. Në çerekun e parë të shek. 19, gjatë kohës së Ali Pashë Tepelenës, shtrirja e tij mori përmasa të konsiderueshme. Rëndësia e bektashinjëve mbështetej në frymën opozitare ndaj Portës së Lartë dhe karakterin politik identifikues të tyre, saqë jeniçerët ndonjëherë quheshin “Haci bektas ahullari”- bij të Haxhi Bektashit.
Ndër elementët që ndikuan apo favorizuan përhapjen e tij ishin:
a- Konflikti që kish Ali Pasha me pushtetin qëndror turk duket se i favorizoi bektashijtë për t’u shpërngulur në Shqipëri ku ndërtuan një rrjet teqeshë.
b- Mardhëniet tradicionalisht të vështira të jenicerëve (ishin bektashinj) me institucionet osmane, kontribuan për t’u vendosur në Shqipëri, aq më tepër kur shumë drejtues të lartë të bektashinjëve (dervish e baba) ishin shqiptarë (Teqeja kryesore në Haci Bektash Koy ishin shumica dervish shqiptarë) . Edhe në Kretë e në Lici shumica e dervishëve të urdhërit ishin shqiptarë.
c- Prishja e korpusit të jeniçerëve më 1826 dhe persekutimi i tyre, ishin ndër faktorët kryesorë për vendosjen e tyre në Shqipëri.
Bektashizmi në Shqipëri, aty nga shek. 19, mori tipare të qarta kombëtare dhe rreth teqeve u grumbulluan shqiparë patriotë të kapur fort pas idesë kombëtare. Kleri bektashian luajti rol organizues, mbështetës e frymëzues në çështjen kombëtare. Ai propagandoi e përvetësoi programin e rilindasve për epokën e Rilindjes Kombëtare duke mbledhur rreth vetes elementin patriotik. Letërsia bektashiane u bë një tribunë e përpjekjeve iluministe shqiptare për liri e indipendencë. Baballarët bektashianë shpeshherë u vunë vetë në krye të qëndresës kombëtare. Historia e Rilindjes Kombëtare dëshmon se bektashinjtë mbështetën luftën për liri, për gjuhën dhe shkollën shqipe .
Megjithëse përhapja e tyre përfshinte kryesisht jugun e vendit, ata ishin një faktor i rëndësishëm në përhapjen e frymës kombëtare dhe mbështetës të lëvizjes për pavarësi. Opozita që i kishin bërë bektashinjtë Portës së Lartë, respektohej që nga rilindasit e deri tek personalitetet që u përfshinë në çështjen kombëtare. Shumë prej rilindësve shqiptarë ishin ose kishin lidhje me bektashinjtë, si: Naim Frashëri, i cili ku ndikua nga ideali humanist i bektashinjve. Po ashtu Abdyl Frashëri, aktiv në çështjet politike dhe organizative të lëvizjes kombëtare.
Bektashinjtë kontribuan në ruajtjen e traditës dhe stabilitetit të brendshëm gjatë kohës së trazirave politike. Teqetë bektashiane ishin kthyer me kohë në vatra ku patriotët shqiptarë diskutonin mbi çështjet kombëtare. Madje, poeti i Rilindjes Naim Frashëri kish hedhur idenë e shkëputjes së bektashinjëve shqiptarë nga kryeteqja e Stambollit në Haxhi Bektash Koy (Pir evi). Ai thonte se kemi nevojë për një Dede, Baba shqiptar, që ta njihnin si kryetar, dhe të ish në krye të bektashizmit shqiptar, për t’i shkëputur lidhjet përfundimisht me Turqinë.

Kontributi i bektashianëve shqiptar gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe lëvizjes për pavarësi mund të përmbidhet në tre aspekte kryesore:
1-Konteksti shpirtëror dhe edukativ
•Bektashinjtë, përmes teqeve të tyre, luajtën rol qendror në edukimin dhe ndërgjegjësimin e shqiptarëve për çështjen kombëtare.
•Teqetë bektashiane funksiononin si qendra kulturore dhe arsimore, ku përhapeshin idetë për liri, kultivimin e gjuhës shqipe dhe identitetin shqiptar.
•Ata promovuan një filozofi tolerante dhe humaniste, që favorizonte bashkëpunimin mes shqiptarëve pavarësisht përkatësisë fetare.
2-Angazhimi dhe pjesëmarrja në lëvizjen kombëtare.
•Shumë bektashinjë ishin aktivë në lëvizjen për pavarësi dhe në mbrojtjen e territoreve shqiptare nga pushtuesit e huaj.
•Disa prej tyre u angazhuan direkt në organizimin e kryengritjeve kundër Perandorisë Osmane. Pjesëmarrja e tyre ishte jo vetëm morale, por edhe materiale në mbështetje të kryengritësve.
3-Promovimi i identitetit kombëtar shqiptar.
•Bektashinjtë mbështetën përhapjen e alfabetit dhe gjuhës shqipe, duke lehtësuar zhvillimin e letërsisë dhe arsimit kombëtar.
•Inkurajuan bashkëpunimin ndërfetar dhe ndihmuan në krijimin e një identiteti kombëtar bazuar në gjuhë dhe kulturë.
Pavarësia fetare dhe institucionalizimi i bektashizmit shqiptar si entitet kombëtar.
Shpallja e pavarësisë ishte një ogur i mirë për bektashinjtë, të cilët kishin lënë Turqinë të detyruar nga përndjekja, për t’u vendosur më pas në Shqipëri. Ndoshta asnjë bektashian nuk e kishte menduar më parë se përhapja që i bënë ata sektit bektashian në Ballkan, por kryesisht në Shqipëri, do të ishte vendimtare për ekzistencën e tyre në të ardhmen. Klerikët bektashianë, të nxitur nga atmosfera kombëtare që përfshiu vendin në fund të Luftës së Parë Botërore, nga zhvillimi i Konferencës së Paqes, nga zhvillimi i Kongresit të Lushnjes dhe nga Lufta e Vlorës iu vunë punës për themelimin e Komunitetit Bektashian Shqiptar. Si para ashtu dhe pas pavarësisë, pati përpjekje serioze për një organizim autoqefal të bektashizmit në Shqipëri. Por, mungesa e stabilitetit politik bëri që kjo të arrihej vetëm pas viteve ‘20.
Ishte statuti i Kongresit të Lushnjes, ai që për të parën herë mori në mbrojtje bektashizmin dhe e bashkoi atë, në të drejta të barabarta, me tre komunitetet e tjera. Kjo dispozitë, bashkoi intelektualë dhe baballarë si Ahmet Turani e Hysen Prishta, të cilët i paraqitën qeverisë së re më dt.13.07.1920 një program për thirrjen e një kongresi bektashian. Në programin e paraqitur cilësoheshin problemet që do të merrte në shqyrtim ky kongres si: Krijimi i këshillës Atnore, krijimi i arkës, përkthimi në shqip i literaturës bektashiane, organizimin e hierarkisë bektashiane, statutin etj.
Pas miratimit të programit nga qeveria, kongresi u mbajt më 21 janar 1921 në teqenë e Prishtës, afër Beratit. Në kongres morën pjesë 32 delegatë; baballarë, simpatizantë e intelektualë. Nga qeveria u dërgua si përfaqësues Feim bej Zavalani. Statuti prej 28 nenesh që u miratua në këtë kongres, u quajt “Lidhja Bektashiane”. Organi më i lartë i bektashizmit ishte Këshilli Atnor, i cili mori kopetencat për kryesimin dhe administrimin e teqeve në Shqipëri. Kryetarit, i cili zgjidhej nga Këshilli Atnor, iu dha titulli Veqil Dede (zv.Kryegjysh). Kopetencat e zëvëndësit të kryegjyshit ishin të njejta me ato të Këshillit Atnor.
Pavarësisht se statuti i vitit 1921 shprehte pavarësinë e bektashizmit shqiptar nga Kryegjyshata Botërore në Turqi, lidhjet me të vazhduan të ruheshin moralisht, sepse Kryetari i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane asokohe në Turqi, ishte shqiptar. Statuti që u quajt “ Lidhja Bektashiane”, u miratua nga parlamenti në janar 1923. Baba Ali Tomorri do ta vlerësonte kështu Kongresin e Prishtës: “Ai do të shënohet si udhëheqës i të gjithë kongreseve fetare në Shqipëri që do të shkëputnin këtë vend të shumëvuajtur nga strugu i influencës së huaj e cila kishte bërë një propagandë dëmtuese mbi shpinën e tij të ligshtueme”. Një hap tjetër i rëndësishëm i Kongresit të Prishtës ishte hapje e Mësimores Bektashiane në teqenë e Sukës, për përgatitjen e kuadrove bektashianë. Teqeja e Sukës ishte dhe qendra e Këshillit Atnor.
Më vonë më, 8 korrik 1923, u mblodh në teqenë e Gjirokastrës Kongresi i dytë Bektashian me vendime të rëndësishme, qoftë në aspektin organizativ ashtu edhe në atë kombëtar të institucionit, ndër të cilat:

a-Këshilli Atnor autorizohej të merrte në mbrojtje në ç’do kohë të drejtat e faltoreve bektashiane jashtë Shqipërisë Londineze, në Greqi e Maqedoni, të cilat ishin themeluar dhe drejtuar nga shqiptarët.
b-Organizimi insticional i hierarkisë udhëheqëse, rregullat e aktivitetit nëpër teqetë.
c-Në nenin 64 të statutit gjuhë zyrtare e komunitetit bektashian sanksionohej shqipja .
Në një farë mënyre, edhe më parë bektashinjtë shqiptarë ishin autonomë, ngase brenda sektit kishin mbizotërim absolut. Vetë Dedei i madh, i cili ishte shqiptar, braktisi selinë e tij në Turqi dhe u vendos përfundimisht në Tiranë në vitin 1923. Dy vjet më vonë Shqipëria u bë qendra botërore e bektashinjëve, pas vendimit që mori qeveria e Ataturkut për mbylljen e të gjithë urdhërave mistik në Turqi më 1925.
Kështu, bektashinjtë shqiptar në rrugëtimin e tyre mistik dhe humanist, kontribuan në ndërgjegjësimin kombëtar, arsimin dhe kulturën shqipe. Idetë e tyre tolerante dhe bashkëpunuese, kontribuan në periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe përpjekjet për pavarësi kombëtare e fetare. Cdo tentativë për ta nxjerrë bektashizmin nga konteksti historik, do ta zbehte deri në harresë të kaluarën e tij, dhe do minonte misionin bektashian si një faktor paqe, mirëkuptimi dhe stabiliteti ndërshqiptar.



