Gazetari dhe shkrimtari i njohur shqiptar që prej vitesh jeton e punon në Londër, Fatmir Terziu, ka publikuar sot një poezi të re dedikuar 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë dhe Flamurit.
Me titullin simbolik “Flamuri Im”, vepra poetike është një himn i ndjerë për identitetin shqiptar, rrënjët, krenarinë kombëtare dhe lidhjen shpirtërore të çdo shqiptari me flamurin kuqezi, kudo që ndodhet.

Poezia ka ngjallur menjëherë interes dhe emocion në rrjetet sociale, ku shumë lexues e kanë cilësuar si një nga vargjet më të bukura të këtij viti kushtuar festës së 28 Nëntorit. Terziu, i njohur për krijimtarinë e tij të gjerë dhe angazhimin në diasporë, në këtë poezi sjell një mesazh universalisht njerëzor për përkatësinë, krenarinë dhe rrugëtimin e shqiptarëve nëpër botë.
Në vargjet e tij ai i flet flamurit si një bashkudhëtar shpirtëror, duke e kërkuar si emblemë, si himn, si besim, si dashuri dhe si strehë. Autori i vendos vetes rolin e njeriut që kërkon të jetë pjesë e historisë, pjesë e këngës, pjesë e kujtesës kombëtare, pavarësisht mërgimit.

Më poshtë, poezia e plotë e Fatmir Terziut, botuar me rastin e 28 Nëntorit:
Gëzuar 28 Nëntorin!
FLAMURI IM!
Nga Fatmir Terziu
Më bëj emblemën tënde,
duke më mbështjellur me frymëzim
mblidhmi ngjyrat më të mira
le të shihen
përmes veprave dhe vargjeve të mia.
Më bëj molekulën tënde, Flamuri im
më lart nga shtyllat e Babilonisë,
më shpurpurit me valëvitjen tënde me qëllim,
jam shpirti yt,
palitja e erës që përgjithmonë zgjat.
Më bëj himnin tënd
me të vërtetën mbi fjalë që duken aq të qarta
më këndo me zë të lartë dhe të vërtetë që merr dhenë,
këndo gjithmonë për të gjithë për të dëgjuar:
“Duaje Atdhenë, si shqipja folenë!”
Më bëj besimin tënd,
premtimin e strukur memorjeve të stërgjyshërve
bashkërisht të mbajmë gjithmonë
Emrin e pavdekshëm, të shkruar me ar,
m’a shkruaj me zemër e bardhësi atje lart:
“Jam krenar që jam Shqiptar!”
Më bëj palë me dashurinë tënde
strehëza ku nuk dallohet nata dhe dita
një strehë e sigurt për t’u kthyer mbi vargjet e një kënge
me fatin më të Shenjtë të arbërorit u rrita.
Ose thjesht …
Më bëj dikush …, thjesht Njeri
të të meritoj të më mbash në gji …
Kështu që të paktën e di që unë ekzistoj
më bëj një dikë të thjeshtë në jetën tënde,
më bëj pjesë e Hymnit, pjesë e kësaj kënge,
jo vetëm një emër në një listë të harruar,
nga rrënjët Ilire, në atë mrekulli, mbi atë truall,
më zgjo me ninullën e nënës sime të shtrenjtë
edhe pse jam i mërguar!


