Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka njoftuar zhvillimin e një stërvitjeje të specializuar gatishmërie nga Forcat e Operacioneve Speciale të Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA për Europën (SOCEUR), të realizuar javën e kaluar në bazën ushtarake të Zall Herrit, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët shqiptarë.
Stërvitja, e kryer nën errësirën e natës, përfshiu mbërritjen e forcave amerikane me dy avionë CV-22 Osprey, mjete të avancuara të Forcave Ajrore të SHBA që përdoren për operacione speciale, zhvendosje të shpejtë dhe misione të ndërlikuara taktike.
“Nën errësirë dhe në koordinim me Aleatët tanë shqiptarë, Forcat e Operacioneve Speciale të caktuara në Komandën e Operacioneve Speciale të SHBA për Europën (SOCEUR) zhvilluan një stërvitje gatishmërie për vendosje emergjente në bazën ushtarake në Zall Herr javën e kaluar. Forcat e Operacioneve Speciale mbërritën me dy aeroplanë CV-22 Osprey, në një operacion me dukshmëri të ulët gjatë natës”, thekson amabsada në një postim në rrjetet sociale.
Sipas njoftimit të Ambasadës, operacioni u fokusua në testimin e aftësisë së njësive speciale për t’u vendosur me shpejtësi në terren, duke garantuar që ato të jenë të gatshme të reagojnë menjëherë ndaj krizave të papritura ose situatave të mundshme emergjente në rajon.
Ambasada thekson se stërvitja jo vetëm vlerësoi kapacitetet e reagimit të shpejtë, por gjithashtu forcoi ndërveprueshmërinë ndërmjet forcave amerikane dhe atyre shqiptare, duke konsoliduar bashkëpunimin strategjik dhe angazhimin e përbashkët për sigurinë rajonale.
“Ushtrimi testoi aftësinë e njësisë për t’u vendosur me shpejtësi, duke siguruar që ata të jenë gati të përgjigjen shpejt dhe në mënyrë efektive ndaj krizave ose operacioneve të mundshme në rajon. Ushtrimi gjithashtu forcoi ndërveprueshmërinë dhe përforcoi angazhimin tonë të përbashkët ndaj sigurisë dhe bashkëpunimit”, bëri të ditur ambasada amerikane.

