Lamine Yamal është larguar nga grumbullimi i Kombëtares së Spanjës dhe po kthehet në Barcelonë. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht këtë të martë nga Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit (RFEF), e cila bëri të ditur se talenti 17-vjeçar nuk do të jetë i disponueshëm për dy sfidat e radhës ndaj Gjeorgjisë dhe Turqisë.
Arsyeja zyrtare lidhet me një procedurë mjekësore të kryer nga Barça, e cila – sipas federatës – është komunikuar me shumë vonesë. RFEF nuk e fshehu pakënaqësinë në njoftimin e saj, duke e bërë situatën të dukej si përplasje e hapur mes palëve.
Sipas federatës, Barcelona e informoi për ndërhyrjen mjekësore vetëm të hënën në mbrëmje, çka bëri që stafi mjekësor i Spanjës të mos ishte në dijeni të plotë para grumbullimit. Ky detaj ka krijuar tension të ri në marrëdhëniet mes dy institucioneve, të cilat shpesh kanë përplasur interesat për minutazhin dhe menaxhimin fizik të lojtarëve.
Nga ana e klubit katalanas, sinjali është i qartë: prioritet është gjendja shëndetësore dhe menaxhimi i ngarkesës së lojtarit, veçanërisht te një futbollist kaq i ri që mban peshë të madhe në ekip.
Situata pritet të ketë vazhdim, pasi RFEF pritet të kërkojë shpjegime zyrtare për protokollin e ndjekur.

