Lewis Hamilton përshkroi sezonin e tij të parë te Ferrari si “një makth”, pas tërheqjes nga Çmimi i Madh i Brazilit në xhiron e 39, ndërsa përfundoi në vendin e fundit.
Piloti 7 herë kampion i botës u bllokua nga Williamsi i Carlos Sainz në xhiron e parë dhe më pas dëmtoi krahun e përparmë të makinës në tentativë për të parakaluar Franco Colapinto me Alpine në fillimin e xhiros së dytë. Kjo manovër i kushtoi një penalitet prej 5 sekondash.
Ishte një e diel e hidhur për Hamilton, i cili nuk tërhiqej nga gara në Interlagos që nga viti 2012, kur ishte pjesë e McLaren. Për Ferrarin, Çmimi i Madh i Brazilit ishte gara e tretë që mbyll pa pikë, duke ulur skuadrën në vendin e katërt në renditjen për konstruktorë, pas Mercedes dhe Red Bull.
Hamilton këtë vit nuk është ngjitur ende në podium, dhe fitorja e tij e vetme mbetet Gara Sprint në Kinë në muajin mars. Në renditjen për pilotë, ai ndodhet në vendin e 6.
“Është një makth, po e përjetoj prej pak kohësh,” tha Hamilton për Sky Sports, “kalimi nga ëndrra për të drejtuar këtë skuadër fantastike te makthi i rezultateve që kemi marrë është shumë impenjativ.”
Megjithatë, në intervistën për portalin Viaplay, britaniku u shfaq më optimist:
“Do të ishte gabim të thoja se nuk ka aspekte pozitive. Nëse sheh paraqitjet e Leclerc në kualifikuese, makina ka një ritëm. Por për momentin duhet të luftojmë kundër këtyre vështirësive. Besoj ende te skuadra dhe ajo që mund të arrijmë së bashku. Duhet vetëm të shtyj dhe të jap gjithçka mundem.”
Rasti më i mirë për të përmirësuar gjërat për Hamilton është Çmimi i Madh i Las Vegasit, që do të zhvillohet në fundjavën e 23 nëntorit.

