Drejtoresha e Spitalit Rajonal Elbasan, Zheni Gjergji: Synojmë transformimin e spitalit në një qendër moderne dhe humane të kujdesit shëndetësor

Në fillim të kësaj jave, në ambientet e Spitalit Rajonal të Elbasanit, drejtoresha Zheni Gjergji ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me Shefat e Shërbimeve të këtij spitali, ku në qendër të diskutimit ka qenë angazhimi për transformimin e institucionit në një qendër moderne, efikase dhe humane të kujdesit shëndetësor.

Në këtë mbledhje pune, Drejtoresha e Spitalit Rajonal të Elbasanit, Zheni Gjergji, ka kërkuar nga strukturat drejtuese të spitalit përkushtim maksimal dhe bashkëpunim të ngushtë, me qëllim që qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë rajonit të marrin një shërbim të denjë, me cilësi të lartë dhe në kushte dinjitoze.

Qytetari është në qendër të çdo vendimi që marrim. Spitali i Elbasanit duhet të ofrojë një kujdes shëndetësor të standardeve më të mira, me profesionalizëm dhe respekt për çdo pacient”, – u shpreh drejtoresha Zheni Gjergji gjatë takimit.

Diskutimet gjatë këtij takimi u përqendruan në disa pika kyçe që lidhen me modernizimin e shërbimeve, rritjen e efikasitetit, si dhe përmirësimin e kushteve të punës për personelin mjekësor dhe infermieror.

Gjithashtu, u theksua rëndësia e trajnimeve të vazhdueshme për stafin, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e kujdesit dhe të garantohen protokolle të unifikuara e bashkëkohore të trajtimit mjekësor.

Drejtoresha Gjergji nënvizoi se Spitali Rajonal i Elbasanit duhet të shndërrohet në një model për institucionet e tjera shëndetësore të vendit, jo vetëm për nga cilësia e shërbimit, por edhe për nga marrëdhënia njerëzore me pacientin.

Takimi u mbyll me një plan konkret veprimi dhe angazhimin e të gjitha strukturave për të çuar përpara këtë proces transformimi, që synon ta kthejë spitalin në një qendër shembullore të kujdesit shëndetësor në nivel rajonal.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME