Rruga Egnatia, aventurë mes historisë, natyrës dhe mikpritjes së librazhdasve

Nga Adriatik Kurti

Në zemër të Shqipërisë lindore, përgjatë vijës së lashtë që dikur lidhte Romën me Bizantin, po ndodh një ringjallje e vërtetë. Rruga antike Egnatia, që përshkon fshatrat Polis, Mirakë, Babje, Spathar, Dardhë, Xhyrë, Qukës e më tej në bashkitë Librazhd dhe Prrenjas, po kthehet në një destinacion të ri jo vetëm për dashamirësit e historisë dhe natyrës, por edhe për grupe të shumta turistësh vendas e sidomos të huaj.

Gjithnjë e më shpesh, në këtë rrugë të lashtë, po shihen guida profesioniste nga Tirana, shqiptarë të diasporës në Gjermani, Francë, Itali, Mbretërinë e Bashkuar, si dhe miq të huaj që eksplorojnë thesaret e fshehura të Kandavisë historike. Peizazhet magjepsëse, gjurmët e qytetërimeve antike dhe mikpritja e ngrohtë e banorëve vendas kanë lënë pa fjalë çdo vizitor që ka pasur fatin të ecë mbi gurët e lashtë të kësaj rruge legjendare.

Nuk do të na e promovojë askush nëse nuk e bëjmë vetë,” – u shpreh me emocion një prej guidave lokale, i cili njëkohësisht menaxhon edhe një strukturë akomoduese buzë Rrugës Egnatia në fshatin Xhyrë. Ky është zëri i një brezi që e sheh turizmin si mundësi për t’i dhënë fund braktisjes dhe për ta kthyer vendlindjen në pikë referimi të turizmit kulturor shqiptar.

Në këto ekspedita, kohët e fundit po marrin pjesë mjaft mësues, profesorë, intelektualë dhe dashamirës të trashëgimisë kulturore e historike, të cilët e konsiderojnë këtë rigjallërim si shenjë shprese për një zonë që dikur njihej vetëm për emigrimin dhe harresën. “Çdo herë që kalojmë, zbulojmë diçka të re,” tregojnë pjesëmarrësit, duke përmendur qindra vepra historike të mbuluara nga bimësia, që presin të restaurohen e të bëhen pjesë e itinerareve turistike.

Apeli ndaj institucioneve është i qartë: ndërhyrja është emergjente. Duhet ndaluar degradimi, duhen vendosur tabela shpjeguese dhe sinjalistikë paralajmëruese, për t’i dhënë kësaj rruge vlerën që meriton. Sepse Rruga Egnatia nuk është vetëm histori; është një potencial i jashtëzakonshëm për fuqizimin ekonomik të familjeve të fshatrave përgjatë të cilëve kalon kjo rrugë, një nga më të famshmet e historisë së njerëzimit.

Sot, në këtë segment ende të pazbuluar plotësisht, po zhvillohen struktura të reja akomoduese dhe po krijohen paketa turistike me standarde bashkëkohore. Ekspertët mendojnë se në pak vite, kjo rrugë do të jetë e mbuluar me resorte të vogla, bujtina tradicionale dhe guida të specializuara, duke u kthyer në një nga atraksionet më tërheqëse të Ballkanit.

Rruga Egnatia është më shumë se një rrugë. Është një urë që lidh të kaluarën me të ardhmen, një pasuri botërore që mund të bëhet motori i ekonomisë lokale dhe një burim i pashtershëm shprese për komunitetet që jetojnë përgjatë saj.

Një gjë është e sigurt: koha e artë e Rrugës Egnatia sapo ka filluar.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Rama: Shqipëria hapi dyert për afganët kur të tjerët i mbyllën

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në Ditën Ndërkombëtare të...

Nuk i kemi mundur kurrë dhe i kemi shënuar vetëm një herë, ja historiku i ndeshjeve të Shqipërisë me Holandën

Nëse Shqipëria do të kualifikohet në Botërorin 2026, atëherë...

Njihuni me shortin e plotë të Botërorit, kush konsiderohet grup “ferri”

Në Washington u hodh shorti i Botërorit, ku u...