Në kampin verdheblu mbizotëron besim dhe pozitivitet para sfidës së nesërme në Vlorë, ku Elbasani do të përballet me Flamurtarin. Skuadra e Ivan Gvozdenoviç vjen e motivuar pas paraqitjes së fortë ndaj Tiranës në “Air Albania”, një ndeshje ku ekipi tregoi disiplinë taktike dhe dëshirë të madhe për rezultat, duke fituar komplimente për mënyrën e lojës.
Trajneri serb, duke folur për këtë përballje, ka theksuar se Flamurtari është një kundërshtar me peshë në futbollin shqiptar, sidomos kur luan në shtëpi. “Flamurtari është një skuadër e mirë, me traditë dhe mbështetje të madhe nga tifozët. Janë të fortë në shtëpi dhe e njohin mirë terrenin. Ne e respektojmë shumë këtë kundërshtar”, është shprehur ai.
Megjithatë, Gvozdenoviç bën të qartë se Elbasani nuk udhëton në Vlorë për të pritur lojën, por për t’i vendosur vetë ritmin e ndeshjes:
“Ne jemi Elbasani dhe kemi identitetin tonë të lojës. Do të provojmë të bëjmë futboll të bukur, të luajmë me karakter dhe të marrim maksimumin në fushë. Nuk shkojmë askund për t’u mbrojtur.”
Ai shton se fitorja ndaj Tiranës ishte një shtysë e rëndësishme, por jo fundi i rrugës:
“Jemi të kënaqur për atë që treguam, por ajo ndeshje tashmë i takon të kaluarës. Në futboll duhet të jesh gjithmonë gati për sfidën e radhës. Kjo është një provë tjetër dhe duhet të tregojmë të njëjtin shpirt gare, disiplinë dhe qetësi.”
Tekniku vlerëson punën e grupit dhe përkushtimin në stërvitje, duke nënvizuar se skuadra po konsolidohet gjithnjë e më tepër, falë bashkëpunimit mes lojtarëve dhe stafit teknik.
Me këtë frymë dhe me synimin për të marrë pikë të plota, Elbasani udhëton drejt Vlorës i bindur se mund të jetë përsëri një rival i rrezikshëm për çdo skuadër që ka përballë.



