Begaj hap garën për vakancën në Gjykatën Kushtetuese

Presidenti Bajram Begaj dekretoi sot shpalljen e procedurës së aplikimit për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë.

Presidenca njoftoi se, Presidenti i Republikës, pasi u njoh me njoftimin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, përmes të cilit bëhet me dije se Gjykata Kushtetuese ka vendosur mbarimin e mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja, konstatoi krijimin e vakancës.

Presidenti me cilësinë e organit të emërtesës, dhe me qëllim plotësimin e vakancës ka miratuar shpalljen e procedurës së aplikimit për emërim gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Presidenti i Republikës fton çdo person të interesuar që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara në Kushtetutë të marrë pjesë procedurën e konkurrimit të hapur publik për vakancën për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe të paraqesë dokumentet e nevojshme pranë Institucionit të Presidentit të Republikës.

Afati i paraqitjes së kërkesës me dokumentacionin e nevojshëm është brenda datës 30 nëntor 2025.

Pas administrimit të dokumentacionit, lista e aplikuesve do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Institucionit të Presidentit të Republikës dhe në mjetet e informimit publik.

Më tej, dosjet respektive për secilin aplikues do t’i përcillen Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për vlerësim sipas Kushtetutës dhe ligjit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME