Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, ka bërë publike për herë të parë në Kuvend shifrat e prokurorëve që kanë kërkuar mbrojtje fizike për veten dhe familjet e tyre.
Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar, Bogdani deklaroi se vetëm gjatë vitit 2024 janë 11 prokurorë që kanë kërkuar mbrojtje, ndërsa për vitin 2025 janë shtatë të tillë.
“Për vitin 2024 janë rreth 11 prokurorë që kanë bërë kërkesa dhe është miratuar kërkesa për mbrojtje të plotë, jo vetëm për ta, por edhe për familjarët e tyre. Për vitin 2025 janë shtatë të tillë”, – tha Bogdani.
Kërcënimet dhe rasti Prençi
E pyetur nga deputeti Xhelal Mziu për raste konkrete kërcënimesh ndaj prokurorëve, përfshirë edhe atë të prokurorit të SPAK, Dritan Prençi, kryetarja e KLP-së u shpreh se zyrtarisht në institucion nuk kanë mbërritur sinjalizime për kërcënime direkte.
“Zyrtarisht në KLP nuk kanë mbërritur. Sa herë që kanë pasur shqetësim, vetë prokurorët kanë kërkuar që KLP të reagojë me deklarata publike. Nuk kam informacione për kërcënime. Nuk kemi informacione nga zoti Prençi. Do të thotë se nuk ka ndonjë presion”, – theksoi ajo.
Kreu i ri i SPAK, pritet të zgjidhet në fillim të dhjetorit
Bogdani dha gjithashtu detaje për ecurinë e procesit të zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK, duke konfirmuar se procedura pritet të përfundojë në fillim të dhjetorit.
“Lidhur me procedurën e zgjedhjes së drejtuesit të SPAK, besoj që ndoshta në fillim të dhjetorit. Jemi duke negociuar datën, por synojmë që procesi të përfundojë përpara datës 16 dhjetor, kur përfundon mandati i drejtuesit aktual”, – u shpreh Bogdani.
Zgjedhja e kreut të BKH-së, finalizohet më 10 nëntor
Në lidhje me procesin e përzgjedhjes së drejtorit të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Bogdani pranoi se ka pasur vonesa për shkak të verifikimeve të gjata të kandidatëve, por bëri me dije se afati përfundimtar është tashmë afër.
“Për shkak të verifikimeve disi të zgjatura të aplikimeve të kandidatëve, besohet se rreth datës 10 nëntor do të finalizohet procesi”, – deklaroi ajo, duke shtuar se pasuesi i Aida Hajnajt pritet të nisë zyrtarisht detyrën menjëherë pas përfundimit të procedurës.
Bogdani: Nuk ka ndërhyrje në proceset e zgjedhjeve
E pyetur nëse ka pasur presione apo tentativa ndikimi në proceset e zgjedhjes së drejtuesve të SPAK dhe BKH, kryetarja e KLP-së e mohoi kategorikisht.
“Nuk ka pasur kërcënime apo influenca për këto dy procese. KLP i ka zhvilluar me transparencë të plotë dhe në përputhje me afatet ligjore”, – u shpreh Mirela Bogdani.



