cilësuar si “Perla e Alpeve Juglindore” të Europës, Malësia e Kelmendit tërheq vizitorë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit, ndërsa është kthyer po ashtu në destinacion tërheqës për sportet e aventurës.
Kryeministri Edi Rama bëri sot të ditur se shoqata “Climbing Accelerator”, e udhëhequr nga Piotr Klodnicki, ka vizituar për të katërtën herë zonën e Kelmendit, në zemër të Alpeve Shqiptare, ku natyra ruan ende magjinë e saj të paprekur.
Rama theksoi se prej disa vitesh, kjo shoqatë po punon me pasion për të sjellë vitin e ardhshëm mbi 100 alpinistë nga rrjeti botëror i ngjitjes shkëmbore.
Kjo sipas tij, “do ta kthejë Kelmendin në një pikëtakim ndërkombëtar për aventurën, sportin dhe natyrën e egër shqiptare”.
Malësia e Madhe, pjesë e të cilës është edhe Kelmendi, ofron pamje të rralla në çdo stinë të vitit. Investimet në infrastrukturë, kombinuar me investime në përmirësimin e peizazhit urban, i kanë bërë disa prej njësive administrative të arrihen më lehtë, duke i dhënë vlerë peizazhit natyror.
Shpellat, kanionet, ujëvarat, rrjedhat e lumenjve, burimet, pllajat, peizazhet e magjishme i shoqërojnë turistët në udhëtimin e tyre në Malësinë e Kelmendit.
Kjo zonë ka potenciale për zhvillimin e sporteve dimërore, kampingjeve me çadra, si dhe strukturave për shërbime gastronomike, të cilat janë miqësore me natyrën.

