Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, deputetja demokratike Jorida Tabaku theksoi sot se fusha e medias është ndër prioritetet e PD-së.
Në takimin e 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, Tabaku replikoi ndaj kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili prezantoi një raport të Autoritetit të Mediave Audiovizive, sipas të cilit kryetari i Partisë Demokratike ka pasur më shumë kohë televizive në katër televizionet kombëtare sesa kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste.
Tabaku tha se “regresi i Shqipërisë në fushën e medias është përmendur në shumë raporte, të OSBE/ODIHR etj. Tabela që Balla tregoi është e muajit gusht të këtij viti, ku e gjithë qeveria ishte me pushime, ndërsa opozita ka shfrytëzuar kohën dhe hapësirën për të qenë mediatikisht për të qenë në kontakt me qytetarët”.
“E vërteta është pak më ndryshe, në këtë tryezë nuk do doja të kisha dezinformim. Dy elementë që dua të theksoj, është se çfarë thotë raporti i OSBE-ODIHR për mediet, raporti ngre shqetësime se shumica dërrmuese e medias perceptohen të lidhura me Partinë Socialiste. Për më tepër raporti thotë se duhet të zbatohen masa për të mbrojtur autonominë editoriale dhe ndikimet e politikës, sidomos tek TVSH, që nuk ka një audiencë të gjerë, por njëkohësisht dhe tek AMA, që nuk ka pavarësi faktike”, nënvizoi Tabaku.
Siç tregohet edhe nga diskutimi që u mbajt në këtë tryezë, vijoi Tabaku, të dy institucionet nuk janë të pavarura.
“Janë qartësisht të varura, janë qartësisht me influencë politike dhe qartësisht në mbështetje dhe të linjës editoriale të qeverisë. Raporti i OSBE-ODHIR thotë se “për më tepër gazetarët përballen me sulme të përsëritura verbale, sulme fizike edhe nga zyrtarët publikë. Gazetarët raportojnë për akses gjithnjë e më të kufizuar në zyrtarët e qeverisë. Me një numër në rënie të konferencave për shtyp, ku gazetarët janë penguar të marrin pjesë. Ngritja e MIA pranë Kryeministrisë, ka kufizuar informacionin për qytetarët dhe ka koordinuar të njëjtin mesazh televiziv përgjatë fushatës së zgjedhjeve”, tha Tabaku.
Tabaku u shpreh se “nëse ka një fushë ku ne të gjithë mund të punojmë shumë është sigurisht fusha e medias, është ndër prioritetet e PD, duke nisur me dekriminalizimin, duke e hequr nga kodi shpifjen dhe duke hequr dhe sulmet që u bëhen gazetarëve me padi, të cilat vijnë nga ana e qeverisë kur çdo gazetar në këtë vend është në presion qoftë të padive që sjell qeveria, qoftë edhe të sulmeve verbale që ndodhin ndaj tyre”.

