Në drejtimin e Aulona Bylykbashit, në cilësinë e kryesueses së Këshillit për Legjislacionin u zhvillua mbledhja e radhës e këshillit, me rend dite vijimin e shqyrtimit të kërkesës së një grupi prej 36 deputetësh të grupit parlamentar të Partisë Demokratike “Për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi”.
Pas miratimit të procesverbalit të mbledhjes së kaluar në nisje të mbledhjes, Bylykbashi bëri të ditur se mbledhja do të vijonte me paraqitjen e raportit nga relatorët Damian Gjiknuri dhe Ivi Kaso.
Për shkak të mosdakordësisë në qëndrime mbi çështje, mbledhja vendosi që seancës plenare t’i kalojnë për shqyrtim dy raporte.
Gjatë mbledhjes dy relatorët paraqitën qëndrimet e tyre mbi çështjen.
“Shkelje janë të tilla që shkelin të drejtën themelore të deputetëve, duke i hequr të drejtën e fjalës, duke i mohuar të drejtën e debatit, shkelet e drejta e sovranit për t’u njohur me aspekte të rëndësishme të qeverisjes. Kuvendi nuk ka luksin që procedurën ta vlerësojë në mënyrë të gabuar, dhe nuk mund të përdoret procedura për asnjë rast si mburojë apo pretekst për të asgjësuar thelbin e të drejtave.
“Kryetari i Kuvendit i ka bërë shërbimin më të keq demokracisë. Kuvendit duhet t’i kalojë për miratim një raport i cili përkrah këtë kërkesë me propozimin për seancën plenare për të votuar pro miratimit të shkarkimit të kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi”, tha Kaso.
Ndërsa Gjiknuri nuk u zgjat në fjalën e tij, duke theksuar se “nuk kam gjë për të shtuar, në këto kushte secila palë t’i dërgojë Kuvendit raportin e vet për votim”.

