Para përballjes së nesërme me Tiranën, trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, ka folur për atmosferën në skuadër dhe pritshmëritë e tij nga kjo sfidë e veçantë. Në intervistën para ndeshjes, tekniku serb theksoi se ndeshjet mes Elbasanit dhe Tiranës kanë gjithmonë një domethënie të veçantë, përtej renditjes në tabelë, pasi mbartin rivalitet historik dhe shumë emocion për tifozët.
Sipas tij, skuadra vjen më e qetë pas fitores ndaj Bylisit dhe është përgatitur me kujdes për këtë duel që kërkon përqendrim maksimal. Gvozdenoviç pranon se e njeh mirë stilin e lojës së Tiranës, si pikat e forta, ashtu edhe ato të dobëta, ndërsa thekson se Elbasani është gati për një ndeshje të fortë dhe të balancuar.
Trajneri i verdhebluve shprehet i qetë edhe për faktin që sulmuesit e tij ende nuk kanë gjetur rrugën e golit, duke vënë në pah sakrificën dhe punën që ata bëjnë për skuadrën.
“Derbi është gjithmonë një ndeshje e veçantë”
“Normalisht që jemi shumë të motivuar, pasi ndeshjet mes Elbasanit dhe Tiranës janë gjithmonë derbi me shumë emocion. Ne hyjmë të motivuar në çdo ndeshje, jo vetëm kundër Tiranës, por sigurisht kjo ka një shije ndryshe. Fitorja ndaj Bylisit na ka kthyer qetësinë dhe besimin. E respektojmë shumë Tiranën për traditën e saj, por edhe ne jemi Elbasani. Do të jetë një ndeshje e fortë, si çdo herë që përballemi.”
“Kriza e Tiranës nuk ndryshon asgjë”
“Nuk ka rëndësi nëse Tirana është në krizë apo në formë. Derbi është derbi, ka motiv tjetër dhe nuk varet nga tabela. Në këto ndeshje gjithçka është e hapur, prandaj vështirësia mbetet e njëjtë.”
“Bordin i njeh disa lojtarë, por kjo s’na shqetëson”
“Është e vërtetë që Bordin njeh disa nga lojtarët tanë, pasi i ka drejtuar më parë, por skuadra ka ndryshuar dhe janë shtuar lojtarë të rinj. Nuk mendoj se kjo i jep ndonjë avantazh të madh kundërshtarit.”
“E kemi analizuar mirë Tiranën”
“Ashtu si ne që analizojmë kundërshtarin, edhe ata e kanë bërë të njëjtën gjë. E dimë që Tirana ka shumë pika të forta, por edhe disa të dobëta, si çdo skuadër tjetër. Jemi përgatitur mirë dhe do të kërkojmë të shfrytëzojmë çdo mundësi që na jep loja. Për më shumë do të flasim pas ndeshjes.”
“Nuk shqetësohem për mungesën e golave”
“Nuk jam i shqetësuar që sulmuesit ende nuk kanë shënuar. Për mua, rëndësi ka puna dhe sakrifica që bëjnë për skuadrën. Ata janë të përkushtuar dhe japin maksimumin në çdo ndeshje. Jam i bindur se golat do të vijnë, sepse puna e tyre nuk do të shkojë dëm.”

