Një skandal i madh trondit futbollin turk, pasi qindra gjyqtarë dyshohen se kanë vendosur baste në ndeshje, në kundërshtim të hapur me ligjin dhe rregullat e sportit. Presidenti i Federatës Turke të Futbollit (TFF), Ibrahim Haciosmanoglu, bëri publike shifrat alarmante dhe paralajmëroi “pastrim të menjëhershëm” në sistemin e arbitrimit.
Sipas hetimit të brendshëm të zhvilluar nga federata, nga 571 gjyqtarë të kontrolluar, 371 kanë llogari bastesh, ndërsa 152 po vënë baste në mënyrë aktive. “Ne jemi të vendosur ta pastrojmë futbollin nga çdo formë korrupsioni. Nuk do të ketë përjashtime. Sanksionet do të nisin që sot,” deklaroi Haciosmanoglu përpara mediave turke.
Rezultatet e hetimit janë tronditëse: dhjetë gjyqtarë kanë vendosur më shumë se 10 mijë baste, ndërsa njëri prej tyre ka regjistruar plot 18 227 baste! Ndërkohë, 42 gjyqtarë të tjerë kanë vendosur bast në mbi 1 000 ndeshje secili – një numër që ngre dyshime të rënda për integritetin e futbollit turk.
Haciosmanoglu shtoi se 22 nga 371 gjyqtarët e përfshirë (7 kryesorë dhe 15 ndihmës) arbitrojnë në nivel kombëtar, por nuk bëri publike emrat e tyre dhe as nëse ata kanë vënë baste në ndeshjet që vetë kanë arbitruar.
Federata turke, e cila vitet e fundit është përballur me akuza të vazhdueshme për paragjykime në vendimet e arbitrave, kishte filluar në pranverën e vitit 2024 të përdorte gjyqtarë të huaj në sistemin VAR, për të shmangur ndikimet e brendshme dhe për të rikthyer besimin e publikut. Në shkurt të po atij viti, një gjyqtar i huaj u caktua të arbitronte derbin e zjarrtë Galatasaray–Fenerbahçe, për shkak të mosbesimit të klubeve ndaj arbitrave vendas.
Ky hetim pritet të ketë pasoja të rënda për futbollin turk dhe të shkaktojë një “tërmet” në radhët e arbitrave, ndërsa federata ka premtuar transparencë të plotë dhe masa disiplinore që do të nisin menjëherë.

