Shkolla e Shushicës do të rikonstruktohet plotësisht brenda vitit 2025, duke hapur një kapitull të ri për 314 nxënësit dhe 33 mësuesit që çdo ditë japin më të mirën e tyre për edukimin e brezit të ri.
Ky është një investim i shumëpritur dhe i kërkuar prej vitesh nga mësuesit, prindërit dhe i gjithë komuniteti, të cilët në çdo buxhetim me pjesëmarrje e kanë pasur këtë projekt prioritet kryesor. Shkolla e re do të jetë e rindërtuar me standarde bashkëkohore, me klasa moderne, ambiente të reja, kushte komode e të sigurta për të gjithë nxënësit dhe mësuesit.

Rikonstruksioni i shkollës së Shushicës është vazhdimësi e një programi të gjerë investimesh që Bashkia Elbasan po zbaton në të gjithë territorin e saj, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës arsimore. Gjatë viteve të fundit janë rikonstruktuar dhe ndërtuar dhjetëra shkolla dhe kopshte në qytet dhe në fshatra, duke garantuar kushte dinjitoze për zhvillimin e procesit mësimor në çdo lagje e çdo komunitet.
Ky angazhim pasqyron vizionin e Kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, për ta vendosur arsimin në qendër të zhvillimit të qëndrueshëm të bashkisë. Për Kryetarin Llatja, investimi në shkolla nuk është vetëm investim në infrastrukturë, por investim në njerëz, në të ardhmen e fëmijëve tanë dhe në zhvillimin afatgjatë të qytetit.

Bashkia Elbasan mbetet e përkushtuar që çdo fëmijë të mësojë në kushte të denja dhe moderne — duke ndërtuar jo vetëm shkolla më të mira, por edhe një të ardhme më të ndritur për të gjithë komunitetin.

