Elsa Ballauri: Gruaja shqiptare mbajti dy diktatura mbi shpatulla

Nga Marcela Tringaj

Në një apartament modest të Tiranës, një hapësirë e vogël mban frymën e grave shqiptare ndër vite. “Muzeu i Gruas”, themeluar nga aktivistja dhe gazetarja Elsa Ballauri, është një udhëtim në kujtesë, aty ku sendet, portretet dhe kujtimet rrëfejnë historinë e atyre që nuk i njohëm kurrë mjaftueshëm.

Ky muze unik është një homazh për gratë që ndërtuan, edukuan, sfiduan dhe duruan — në një vend ku zëri i tyre shpesh është heshtur.

Elsa Ballauri, e njohur për kontributin e saj në të drejtat e njeriut dhe fituese e çmimit “Pishtari i Grave”, rrëfen për “Albania Express News” pse vendosi të krijojë një muze të tillë dhe çfarë mëson gruaja shqiptare prej tij.

“Nuk e ndjeva si privilegj, ishte pjesë e shpirtit tim”

Znj. Ballauri, shumë objekte në muze janë trashëgimi familjare. Si lindi ideja që ato të shndërroheshin në muze publik?

“Nuk e kam ndjerë si privilegj, është pjesë e historisë sime. Kam jetuar gjithmonë mes koleksioneve të babait tim, Robert Ballauri, një filatelist dhe arkitekt muzesh.

Muzetë janë pjesë e frymës sime. Këto sende nuk janë të pajeta — ato flasin. Dhe kur flasin, tregojnë historinë që librat s’e shkruajnë dot.”

Në raftet e muzeut gjen kapela, veshje, bizhuteri, dorëshkrime e fotografi që i përkasin grave shqiptare të viteve ’20 e ’30. Çdo objekt mbart një histori, një kujtim, një dëshmi për kohën.

“Të drejtat nuk t’i japin, duhet t’i marrësh vetë”

Çfarë ju shtyu të ndërthurnit pasionin për koleksionet me misionin për të drejtat e grave?

“Një muze për gratë nuk është thjesht ekspozitë sendesh. Ai është rrëfim i sakrificës, i guximit, i përpjekjes për t’u dëgjuar.

Gjatë gjithë punës sime kam kuptuar se askush nuk të jep të drejta nëse nuk i kërkon vetë. Gratë e viteve 1920–1930 ishin gra me vizion, me dije, me kurajë. Muzeu është një përpjekje për t’i rikthyer në kujtesën kolektive.”

“Një fustan që ndriçon kujtesën”

Cili është objekti që ju prek më shumë personalisht?

“Një fustan mëndafshi rozë, i gjyshes sime, Ollga Frashëri-Ballauri, i veshur në vitin 1924.

Është një dëshmi e një kohe të panjohur për shumë shqiptarë — elegante, moderne, europiane.

Ai fustan për mua është si një dritë që ndriçon një pjesë të harruar të historisë sonë. Më kujton se kemi pasur një kulturë të lartë qytetarie që duam ta rigjejmë.”

“Gruaja shqiptare mbajti dy diktatura mbi shpatulla”

Muzeu juaj bashkon dy epoka të ndryshme: para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Çfarë na mëson ky kontrast?

“Diktatura atrofizon shpirtin. Dhe gratë shqiptare e përjetuan këtë dyfish: nën diktaturën e shtetit dhe të burrit.

Pas luftës, shumë gra të jashtëzakonshme u zhdukën nga historia, sepse sistemi nuk i pranonte.

Detyra jonë është t’i nxjerrim nga harresa dhe t’i vendosim aty ku meritojnë — në kujtesën e përbashkët.”

“E njerëzishmja jonë u përpunua nga halli”

Si e përkufizoni “të njerëzishmen” gjatë komunizmit?

“Ishte një njerëzishmëri e detyruar. Jetonim me mungesë e frikë, dhe nga ai hall mësonim të ndajmë gjithçka.

Por brenda nesh po zhvillohej edhe e panjerëzishmja.

Gratë ishin më të ngarkuarat: aborti i ndaluar, puna e rëndë, radha për ushqim, fletërrufetë.

Muzeu nuk gjykon, por kujton. Harresa është mohimi më i butë i historisë.”

“Eleganca e së shkuarës s’mund të blihet”

Në muze vërehet një frymë aristokrate te objektet. Çfarë simbolizon ajo për ju?

“Kjo elegancë nuk lidhet me pasurinë, por me shpirtin.

Ato gra ishin të arsimuara jashtë, por u kthyen në një vend të varfër për të hapur shkolla, për të edukuar, për të ngritur shoqërinë.

Ishin të pasura në dashuri për vendin dhe në përkushtim.

Kjo është fisnikëria e vërtetë që nuk blihet dot.”

“Feminizmi tek ne është ende fëmijë”

Si e shihni feminizmin sot në Shqipëri?

“Feminizmi tek ne është ende fëmijë. Ka gra që mendojnë, krijojnë, protestojnë — kjo është shpresë.

Por ajo që mungon është bashkimi. Pa bashkim, idetë janë të bukura, por të pamjaftueshme.

Kur gratë janë bashkë, idetë bëhen realitet.”

“Muzeu vetë është sfida”

Cila është sfida e radhës për ju dhe Muzeun e Gruas?

“Në fakt, muzeu është vetë sfida. Çdo ditë kërkon përpjekje për të ruajtur, për të dokumentuar, për të ndriçuar histori që janë fshehur.

Po punojmë për botime që do të sjellin gra të harruara në dritë, si Praksithe Plumbi apo zonjat e para që ngritën debatet për barazi në parlament.

Dhe ëndrra ime është që Muzeu i Gruas të lidhet me muze të ngjashëm në botë, për të shkëmbyer histori dhe për të kuptuar më mirë rrënjët tona.”

“Të njohësh gruan e së kaluarës, do të thotë të kuptosh më mirë gruan e sotme.”

Në fund, Muzeu i Gruas nuk është thjesht një vend ku ruhen sende të vjetra, por një hapësirë ku kujtesa merr frymë.

Aty, çdo fustan, çdo letër, çdo fotografi rrëfen për guximin, elegancën dhe shpirtin e një brezi grash që nuk pranuan të heshtnin.

“Kur krijohet një muze për gratë, është pjesë e luftës që gruaja bën drejt barazisë dhe bashkëpunimit me burrin.”

Dhe në çdo cep të këtij muzeu dëgjon një zë që pëshpërit:

“Mos më harro.”

1 KOMENT

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Ajshel Zykollari, ylli i ri nga Elbasani që shkëlqeu në “Urta Fest Junior”

Një mbrëmje e mbushur me emocion, dritë dhe ëndrra...

Bashkia Elbasan reagon ndaj aludimeve për kaos financiar: Faktet dhe e vërteta mbi raportin e KLSH

Bashkia Elbasan ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik në...

Më 9 prill festivali “Roma Romale-Roskovec 2026”, edicioni që ngre në piedestal kulturën rome

ROSKOVEC /Albania Express News /Festivali “Roma Romale 2026” rikthehet...

Shqipëria shënon 17-vjetorin e anëtarësimit në NATO…

Shqipëria sot shënon 17-vjetorin e anëtarësimit në NATO, ndërkohë...