Niveli i ndotjes në lumin Shkumbin arrin nivele kritike, ekspertët paralajmërojnë ndikim të rëndë në shëndetin publik dhe ekosistem

Nga Fatmir Popja

Lumi Shkumbin, një ndër arteriet më të rëndësishme ujore të vendit, ndodhet sot përballë një krize mjedisore me përmasa alarmante. Nga burimi në lindje të vendit deri në grykëderdhjen në detin Adriatik, ky lumë është kthyer në një kanal ndotjeje të pandalshme, për shkak të shkarkimeve industriale, bujqësore, shtëpiake dhe natyrore, me ndikime të rënda mbi ekosistemin, shëndetin e qytetarëve dhe cilësinë e ujërave në mbarë zonën.

Burimet kryesore të ndotjes së këtij lumi janë industria e rëndë që zhvillon aktivitetin e saj në zonën e ish-Metalurgjisë Elbasan. Shkarkimet industriale nga ish-Kombinati Metalurgjik dhe nga disa objekte të tjera industriale përgjatë qyteteve Elbasan, Librazhd, Peqin, Kavajë dhe Rrogozhinë përbëjnë ndotjen më të madhe.

Mbetjet derdhen pa asnjë kontroll në lumin Shkumbin, veçanërisht në segmentin kritik nga Ura e Shkumbinit deri në fund të dambës së Kombinatit.

Ujërat e zeza urbane nga qytetet si Librazhd, Elbasan, Cërrik, Peqin dhe Rrogozhinë vazhdojnë të derdhin ujërat e zeza pa trajtim direkt në lumë. Derdhje problematike janë evidentuar në dalje të Librazhdit dhe në dy pika të Elbasanit: pranë varrezave të qytetit dhe tek Ura e Shkumbinit.

Ndotja bujqësore dhe turbullira shkaktohen nga erozioni i tokave, për shkak të mungesës së bimësisë, duke sjellë ndotje të konsiderueshme nëpërmjet turbullirës në përroin e Rrapunit në Librazhd dhe në përroin e Gostimës në Xibrakë.

Ujërat e Shkumbinit janë të mineralizuara për shkak të përbërjes gjeologjike të shtretërve ku kalon lumi. Çdo vit në lumë derdhen mbi 635,000 ton kripëra, duke ndikuar në përkeqësimin e cilësisë së ujit, sidomos në muajt e verës dhe vjeshtës.

Të dhënat zyrtare janë alarmante: turbullira e ujit të rrjedhës së Shkumbinit shkon nga 55 kg/sek deri në 245 kg/sek, ndërsa rrjedhja e ngurtë totale arrin në 7,780,000 ton aluvione në vit.

pH i ujit është rreth vlerës 8, në kufijtë e ujërave bazikë. Fortësia e ujit varion nga 5 deri në 16° gjermane – ujë me fortësi të mesme deri të lartë.

Në pikën 1, në zonën e monitorimit në Krastë, Elbasan, në hyrje të qytetit, lumi ndikohet nga ndërtimet e shumta dhe derdhjet shtëpiake direkte. Këtu ndodhet edhe një impiant i prodhimit të inerteve që shfrytëzon shtratin e lumit.

Në pikën 2, tek Ura e Shkumbinit, rezulton një zonë me përqendrim të lartë industrial dhe me derdhje të drejtpërdrejta të kolektorëve urbanë. Në këtë pikë bashkohet edhe përroi Zaranikë, i ndotur rëndë nga mbetjet industriale dhe ujërat e zeza.

Në pikën 3, tek Ura e Valasit, pas përshkimit të qytetit të Elbasanit, lumi Shkumbin merr prurje të konsiderueshme nga përroin e Paprit dhe të Kushës, por mbetet i rënduar nga ndotjet që mbart nga segmentet e mëparshme.

Eksperti mjedisor Ahmet Mehmeti thotë:

Në të kaluarën, Shkumbini ishte ndër lumenjtë më të pastër të Ballkanit. Sot, është një pasqyrë e dështimeve institucionale dhe mungesës së kontrollit mjedisor.”

Gjendja aktuale e ndotjes alarmante të lumit Shkumbin flet qartë në çdo segment të rrjedhës së tij. Fatkeqësisht, uji i këtij lumi përdoret edhe për vaditjen e tokave bujqësore dhe ndikon për keq sidomos në cilësinë e perimeve, të cilat jo vetëm që nuk mund të eksportohen, por as nuk duhen konsumuar.

Shkumbini është një lumë i vdekur – një lumë i sëmurë sot. Ai ndikon negativisht në shëndetin e të paktën gjysmë milioni banorëve.

Thirrja ime për të gjithë është: ruhuni nga ndotja alarmante e Shkumbinit, sepse ndotja e madhe e tij është rrezik potencial i infeksioneve, epidemive e pandemive.” thotë Ahmet Mehmeti.

Anëtarja e Këshillit Bashkiak të Elbasanit, Bianka Çopja, shton:

Nëse nuk merren masa urgjente për ndalimin e shkarkimeve dhe ndërtimin e impianteve të trajtimit, Shkumbini do të shndërrohet në një krizë shëndetësore për komunitetet që jetojnë përgjatë tij.

Organizatat mjedisore dhe ekspertët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë menjëherë për:

  • ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza në qytetet që përshkon lumi,
  • kontrollin rigoroz të shkarkimeve industriale,
  • riorganizimin e sistemit të monitorimit,
  • zbatimin e gjobave për ndotësit,
  • si dhe fushata sensibilizimi për komunitetet lokale mbi rëndësinë e ruajtjes së lumit.

Lumi Shkumbin nuk është thjesht një rrjedhë ujore; ai është burim jete, ekonomi dhe biodiversiteti.

Ndotja e tij nuk është vetëm një çështje mjedisore, por një krizë sociale që kërkon përgjegjësi, bashkëpunim dhe veprim të menjëhershëm.

Nëse duam ta shohim përsëri të pastër, koha për të vepruar është tani.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Nga infrastruktura tek zhvillimi ekonomik: Banorët e Papërit japin votën për prioritetet

Në kuadër të procesit të buxhetimit me pjesëmarrje, Kryetari...

Rama: Bashkitë të sjellin hartat e Paketës së Maleve brenda tetorit, amendime për lehtësimin e burokracive

Kryeministri Edi Rama kërkoi marrjen e masave nga bashkitë...

Gvozdenoviç beson te reagimi: “Do ta kalojmë momentin e vështirë”

Elbasani përgatitet për një ndeshje të rëndësishme ndaj Bylisit,...