Presidenca, kërkesë Kushtetueses: Shpallni moskompetencë për dekretin e zgjedhjeve në Tiranë

Institucioni i Presidentit, në cilësinë e palës së interesuar, në çështjen që shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese më 30 tetor, në lidhje me shkarkimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njoftoi se ka dorëzuar në Kushtetuese arsyetimin juridik në lidhje me këtë çështje.

Në cilësinë e palës së interesuar, Presidenca i kërkon Gjykatës Kushtetuese të deklarojë moskompetencën lidhur me dekretin e datës 1 tetor të presidentit Bajram Begaj, për zgjedhjet e pjesshme vendore.

Në parashtrimet e Presidencës theksohet se Gjykata Kushtetuese nuk ka juridiksion mbi dekretin për datën e zgjedhjeve.

“Gjykata Kushtetuese ka pranuar të shqyrtojë një akt administrativ, mbi të cilin nuk ka juridiksion, për shkak se nuk ka ditur si të pengonte veprimin e tij. Ky është arbitraritet i patolerueshëm për një sistem që vepron mbështetur në parimet e shtetit ligjor. Gjykata Kushtetuese duhet të deklarojë menjëherë mungesën e kompetencës për shqyrtimin e dekretit, të heqë menjëherë pezullimin që ka vendosur dhe të çlirojë Institucionin e Presidentit të Republikës nga statusi i palës së interesuar, sepse dekreti i Presidentit të Republikës nuk mund të jetë objekt shqyrtimi në këtë çështje. Përndryshe, procedura mund të kryhet deri në fund, por do të jetë antikushtetuese”, thuhet në shkresë.

Po ashtu Presidenca kërkon që Gjykata Kushtetuese të vendosë në përfundim të seancës, rrëzimin e kërkesës së kryetarit të shkarkuar të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, si të pabazuar në nenin 115 të Kushtetutës.

Sipas Presidencës, legjislacioni në fuqi përcakton qartësisht se vendimi i qeverisë për shkarkimin e Erion Veliajt është akt administrativ individual.

“Gjykata Kushtetuese vihet në veprim sipas nenit 115 të Kushtetutës, si garant i sistemit kushtetues dhe si barrierë që nuk lejon abuzimin e pushtetit ekzekutiv me tagrat e tij të pushtetit. “Shkelja e rëndë e Kushtetutës dhe e ligjeve” është një shkak juridik që duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese përpara se shkarkimi të ketë efekt. Kjo është mbrojtja që akordon Kushtetuta.

“Nëse shkarkimi nuk bëhet për shkelje të rëndë të Kushtetutës ose të ligjeve, atëherë Gjykata Kushtetuese nuk ka çfarë të shqyrtojë dhe nuk ka çfarë të mbrojë. Pretendimi se shkaku tjetër i shkarkimit, duke qenë i pavërtetë ose i paligjshëm, mund të ketë cenuar gjithsesi të drejtat kushtetuese të Kryetarit të shkarkuar të Bashkisë, duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor administrativ dhe mund të vijë në Gjykatën Kushtetuese vetëm në kuadër të gjykimit incidental, ose vetëm pas ezaurimit të iterit procesual gjyqësor”, thuhet në parashtrimet e Presidencës.

Gjithashtu Presidenca i kërkon Kushtetueses që të vendosë heqjen e pezullimit të dekretit.

Institucioni i Presidencës thekson më tej se do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese që “për shkak se pezullimi ka pamundësuar zhvillimin e zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë në datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës, të urdhërojë në përfundim të seancës KQZ-në për përgatitjen e zgjedhjeve për këtë bashki në datën që do të përcaktojë Gjykata Kushtetuese, datë e cila nuk duhet të jetë më e hershme se 30 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

“Në vlerësimin tonë si palë e interesuar, vetëm një procedim i tillë mund të rikthejë kushtetutshmërinë e këtij procesi ankimor, të cenuar në mënyrë arbitrare nga vetë Gjykata Kushtetuese”, thekson Presidenca.

Më 9 tetor Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e Presidentit të Republikës për shpalljen e datës së zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës.

Presidenti Begaj kishte dekretuar 9 nëntorin si datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore në 6 bashki, përfshirë dhe Tiranën kryebashkiaku i së cilës u shkarkua me vendim të Këshillit të Ministrave. Veliaj ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese shkarkimin nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Balluku në Austri, diskutime për investime në energji dhe turizëm

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda...

Ata që e mbajnë Elbasanin mbi supe janë skuadra e fitores dhe e së ardhmes

Në sfondin e një Elbasani që ecën përpara, janë...