6-vjeçari shqiptar që po mahnit Londrën me talentin dhe zgjuarsinë e tij, i shumë kërkuar nga kompanitë e modelingut

Quhet Ansi Tashi dhe është vetëm 6 vjeç, por ka arritur të tërheqë vëmendjen e mësuesve, bashkëmoshatarëve dhe komunitetit shqiptar në Londër për zgjuarsinë, edukatën dhe talentin e tij të shumëanshëm. Gjithashtu ai është shumë i kërkuar nga kompani prestigjoze modelingu në Angli. Në këtë intervistë të veçantë për “Albania Express News”, Ansi na flet me sinqeritet, maturi dhe ngrohtësi për jetën e tij mes dy kulturave, dashurinë për vendlindjen e prindërve e gjyshërve dhe ëndrrat e mëdha që ka për të ardhmen.

Si quhesh dhe sa vjeç je?

Jam Ansi Tashi, 6 vjeç. Jam lindur dhe jetoj në Londër me mamin dhe gjyshen time nga mami. Ato janë shqiptare dhe më kanë mësuar të jem krenar për origjinën time. Unë jam shumë i vogël për shumë gjëra, por ndonjëherë, ndjej sikur kuptoj më shumë nga sa pritet për moshën time.

Ku jeton tani dhe me kë rri në shtëpi?

Jetoj në Londër, në një lagje të qetë. Rri me mamin dhe gjyshen. Të dyja kujdesen shumë për mua. Gjyshja më tregon histori të vjetra nga Shqipëria dhe jeta e saj në emigracion,k urse mami më mëson fjalë të reja dhe më ndihmon shumë me librat.

A ke qenë ndonjëherë në Shqipëri apo në Elbasan dhe Librazhd, ku është edhe vendlindja e mamit dhe ajo gjyshes? Çfarë të pëlqen më shumë?

Po, kam qenë disa herë. Edhe Elbasani edhe Librazhdi është shumë i bukur! Më pëlqejnë malet, pyjet, ushqimet, por më shumë më pëlqejnë ndjesitë që kam kur jam në Shqipëti, ndjehem si në një vend ku gjithçka është e qetë dhe e vërtetë. Natyra më duket si një përrallë, dhe më pëlqen të dëgjoj cicërimat e zogjve.

Të kthehemi pak te Londra. Si ishte klasa e parë për ty? Cila ishte lënda jote e preferuar?

Më pëlqeu shumë! Ishte një vit i lehtë për mua, sepse më pëlqen të mësoj. Lëndët që dua më shumë janë muzika, historia, matematika dhe shkenca. Më intrigon kur mësoj si kanë jetuar njerëzit para nesh, ose kur zbuloj pse ndodhin gjërat në natyrë. Shkenca më duket si magji që mund ta kuptosh me mendjen.

A mëson më shumë anglisht apo shqip në shtëpi?

Në shtëpi mësoj vetëm shqip, sepse është gjuha ime e zemrës. Është gjuha e prindërve, e gjyshërve. Në shkollë flas anglisht, por kur dua të flas me shpirtin tim, flas shqip. Mendoj që të dish dy gjuhë është si të kesh dy superfuqi.

A i ndihmon ndonjëherë shokët e tu me ndonjë gjë në shkollë?

Po, shpesh i ndihmoj, veçanërisht kur kanë vështirësi me detyrat. Unë mendoj se nuk është e rëndësishme vetëm të jesh i zgjuar, por edhe të jesh i sjellshëm dhe të ndihmosh të tjerët, sepse kështu mësojmë të gjithë së bashku.

Si ndihesh kur flet dy gjuhë? A i përzien ndonjëherë?

Ndihem shumë mirë dhe krenar.Është si të kesh dy shtëpi në zemër. Jo, nuk i përziej, sepse i dua të dyja gjuhët dhe i përdor secilën kur duhet. Kur dua të flas për ndjenja të forta, më vjen natyrshëm të flas shqip.

A i mëson ndonjëherë fjalë shqip mësuesit ose shokët në Londër?

Po! U mësoj si të bëjnë shqiponjën me duar dhe disa fjalë të thjeshta si “faleminderit” dhe “të dua shumë”. Kam një shok që tani i thotë mamasë së tij “tungjatjeta”! Është shumë qesharake, por edhe bukur.

Cila është fjala jote e preferuar në shqip?

Fjala ime e preferuar është “Të dua shumë!”, sepse është fjala që më thotë mami kur më përqafon. E them shpesh edhe unë, sepse dua që njerëzit të ndihen të dashur.

Çfarë të pëlqen më shumë: të këndosh, të kërcesh apo të bësh modelin?

Të gjitha më pëlqejnë, por më shumë të këndoj dhe të jem model. Kur këndoj, ndjej sikur mund të bëj njerëzit të lumtur. Kur bëj modelin, është si të tregosh një histori pa folur.

A ke ndonjë këngë që e këndon gjithë kohës në shtëpi?

Po! Këndoj “Macja le të lahet” dhe “Sarileja”. Më bën shumë në qejf kur gjyshja këndon me mua dhe pastaj qeshim të dy, sikur jemi në një koncert në shtëpi.

Kush të mëson të kërcesh apo të këndosh: mami, shkolla apo TikTok?

Unë mësoj më shumë në shkollë, por edhe mami më ndihmon. Ajo është shumë e zgjuar, shumë e dashur dhe ka zë të bukur. TikTok-un nuk e njoh, mami më thotë që jam ende i vogël për ato gjëra. Edhe telefonin nuk ma lë ta mbaj. Shumë pak më lejojnë si mami edhe gjyshja. Ti po e shikon vetë që gjithë ditën vetëm pak minuta mu dha leje për telefonin. Kjo është e tmerrshme. Por rregulli është rregull. Asgjë nuk duhet bërë pa leje.

Si ndihesh kur njerëzit të thonë që je shumë i talentuar?

Ndihem i lumtur, por edhe i përgjegjshëm. Mendoj se kur dikush të thotë që je i talentuar, duhet të punosh më shumë, të jesh i përulur dhe të mos bëhesh mendjemadh. Më pëlqen të përmirësohem çdo ditë.

Kur të rritesh, çfarë do të bëhesh, këngëtar, mësues, astronaut apo diçka tjetër?

Dua të bëhem këngëtar dhe model, por ndoshta edhe shkencëtar. Më pëlqen të zbuloj sekrete të natyrës dhe të shpik diçka që ndihmon njerëzit. Pse jo? Edhe një fëmijë mund të bëjë diçka të madhe.

A do të doje të vije e të jetoje ndonjë ditë në Shqipëri?

Po! Do të doja të jetoja për një kohë në Shqipëri, sepse dua të jem më pranë rrënjëve të mia. Aty ndjej një ndjesi tjetër, si një lidhje që nuk e shpjegon dot me fjalë.Me gjyshen edhe mamin vijnë çdo verë në Shqipëri dhe qëndrojmë një muaj këtu. Qëndrojmë në Elbasan,Librazhd etj. Vizitojmë mjaft vende të bukura.Edhe për plazh qëndrojmë në Shqipëri. Edhe sivjet këto ditë do shkojmë disa ditë në Ksamil.

Cila është ëndrra jote më e madhe tani?

Të bëhem shkencëtar dhe të shpik një makinë që pastron tokën dhe ndihmon njerëzit të kenë ujë të pastër. Dua që bota të jetë më e mirë kur të rritem.

Cili është superheroi yt i preferuar?

Airman! Ai fluturon dhe ndihmon njerëzit, por më pëlqen edhe sepse është i mençur dhe nuk përdor vetëm forcë, por mendje dhe zemër.

Po të ishe kryeministër për një ditë, çfarë do të ndryshoje?

Nëse do të isha kryeministër për një ditë, do të bëja që asnjë fëmijë të mos flinte i uritur dhe do të ndërtoja shkolla të bukura dhe parqe me shumë lule. Do të doja që të gjithë fëmijët të kishin lodra dhe libra, jo vetëm telefona. Dhe ndoshta do të bëja edhe një ditë ku të gjithë të luanin bashkë – të rritur dhe të vegjël, që të mos harrojnë si është të qeshësh.Nuk e di pse të gjithë u thonë hajdutë kryeministrave.Nuk jam në gjendje ta kuptoj …

Cila është gjëja më qesharake që ke bërë këtë verë?

Kam bërë shumë gjëra qesharake këtë verë, por më shumë më ka bërë për të qeshur një ditë në fshatin Xhyrë në Librazhd, kur isha me gjyshen në një piknik dhe ajo u ngatërrua me një gur e ra ngadalë në bar. Nuk u lëndua, por qeshëm të dy aq shumë sa s’e harruam gjithë ditën! Kam kënduar me zë të lartë te ky lokali në Xhyrë që quhet “Shpella e Plakës ” dhe gjyshja tha: “Ansi, kujdes zërin!”, ndërsa kushërinjtë tanë duartrokitën. Ishte si një shfaqje e vërtetë për mua.Ju aty bisedonit mes jush dhe unë ju dëgjoja me shumë përqëndrim. Atë ditë ishim së bashku plot kushërinj të Mamit , ishe edhe ti , edhe gruaja juaj. Në fillim po ju bezdisja se më kishte marrë uria. Më sollën gjithçka të mirë përpara. Por mua mu fiksua që kisha uri për pilaf dhe kuzhinierja që kishte të njënjtin emër si gjyshja ime, Tefta, ishte aq e dashur dhe aq e papërtuar se bëri një tenxhere plot , nga e cila hëngrën të gjithë.Bëmë gallatë sa nga të qeshurat na dolën lot.

A ke ndonjë mesazh për fëmijët në Shqipëri që janë në moshën tënde?

Po! Dua t’u them të gjithëve që janë si unë në Shqipëri.Lexoni shumë libra, mos kini turp të bëni pyetje dhe gjithmonë kini zemër të mirë. Bëhuni të shkathtë, të zgjuar dhe të respektueshëm me të rriturit dhe shokët tuaj. Dhe kurrë mos harroni që të jesh shqiptar është diçka shumë e bukur, edhe kur je larg vendit, gjithmonë e ke Shqipërinë brenda vetes.

Prolog

Ansi Tashi nuk është thjesht një fëmijë i talentuar. Ai është një pasqyrë e fëmijëve të diasporës që jetojnë me dy kultura në zemër, dhe që i japin botës një model të ri, një kombinim i zgjuarsisë, ndjeshmërisë, identitetit dhe ëndrrave të mëdha. Me një mendje të hapur, një zemër të pastër dhe dëshirë për të mësuar e ndihmuar, Ansi është një shembull frymëzimi, jo vetëm për bashkëmoshatarët e tij, por edhe për të rriturit që kanë harruar si është të shohësh botën me sytë e një fëmije.

Intervistoi: Fatmir Popja 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Kapotë për të gjithë pallatet, një vizion i ri për qytetin e Elbasanit

Procesi i rikonstruksionit të fasadave në Bashkinë Elbasan po...

Tragjedi në Itali: Tre karabinierë humbin jetën nga një shpërthim pranë Veronës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm...

Nga zëri i qytetarëve te politikat vendore: Elbasani shembull për qeverisje gjithëpërfshirëse

Në ambientet e Bashkisë Elbasan u zhvillua një takim...

Elbasani në qendër të fushatës “Mbrojtja Civile në Turne 2025”!

Në Ditën Ndërkombëtare për Reduktimin e Riskut nga Fatkeqësitë,...