Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë u hap zyrtarisht këtë mesjavë panairi ndërkombëtar Tourism Fair Albania 2026, një nga ngjarjet më të rëndësishme të sektorit të turizmit në vend, ku Bashkia Elbasan merr pjesë si një ndër aktorët më aktivë, me stendën e saj promovuese që sjell në vëmendje pasurinë e jashtëzakonshme historike, kulturore dhe natyrore të qytetit.

Në këtë event që mbledh përfaqësues të institucioneve vendore, operatorë turistikë dhe vizitorë nga brenda dhe jashtë vendit, Elbasani prezantohet me një vizion të qartë për zhvillimin e turizmit gjithëvjetor, duke synuar të shndërrohet në një destinacion të qëndrueshëm dhe konkurrues në çdo stinë.
Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, në fjalën e tij theksoi se Elbasani prezanton me krenari vlerat e tij të spikatura, duke nisur nga Kalaja – simbol i qytetërimit ndër shekuj – rrugicat karakteristike plot histori, trashëgimia e pasur e arsimit dhe zejtarisë, deri tek bukuritë natyrore mahnitëse të Funarit, Gjinarit dhe Shpatit, që ofrojnë një potencial të jashtëzakonshëm për turizmin e natyrës dhe aventurës.

Një vend të veçantë në prezantimin e Bashkisë zë kulinaria tradicionale elbasanase, me gatime që janë kthyer në identitet kombëtar, si tava e Elbasanit dhe ballokumet simbol të Ditës së Verës, si edhe produktet e freskëta të zonave rurale, të cilat sjellin në tryezë shijen autentike të traditës. Mikpritja elbasanase dhe kultura e tryezës së pasur mbeten elementë thelbësorë që e bëjnë qytetin një destinacion të dashur për çdo vizitor.

Sipas kryebashkiakut Llatja, investimet e Bashkisë në rigjallërimin e qendrës historike, krijimin e hapësirave të reja të gjelbra, promovimin e turizmit natyror dhe mbështetjen e sipërmarrjeve lokale po japin rezultate konkrete, duke e kthyer Elbasanin në një model zhvillimi të qëndrueshëm, ku tradita dhe kultura ndërthuren natyrshëm me vizionin modern për të ardhmen.

Në kuadër të Forumit të Bashkive, përfaqësuesit vendorë do të ndajnë eksperiencat dhe praktikat më të mira mbi turizmin gjithëvjetor, marketingun strategjik dhe mënyrat për ta bërë Shqipërinë një destinacion edhe më konkurrues në tregun ndërkombëtar.
Stenda e Bashkisë Elbasan në Tourism Fair Albania 2026 ofron një udhëtim të plotë në identitetin e qytetit ,trashëgimi, natyrë, kulturë, kulinari dhe traditë ,duke reflektuar vizionin për një Elbasan të hapur, mikpritës dhe të gjelbër.

Bashkia fton të gjithë vizitorët të ndalen pranë stendës së saj dhe të zbulojnë nga afër Elbasanin që duam ,një qytet me histori të gjallë dhe me sytë nga e ardhmja.


