Deputetja elbasanase Evis Kushi ka përcjellë një mesazh të ngrohtë dhe plot entuziazëm me rastin e Ditës së Verës, duke ftuar qytetarët nga mbarë vendi që më 14 Mars të bashkohen në festën simbol të pranverës në qytetin e Elbasan.

Në postimin e saj në rrjetet sociale, ajo thekson se kjo ditë përfaqëson jo vetëm ardhjen e stinës së re, por edhe një trashëgimi të vyer kulturore që e ka zanafillën pikërisht në Elbasan, qytetin që e ka kthyer Ditën e Verës në një simbol kombëtar bashkimi dhe shprese.
“Ejani të shijoni ballokumet tradicionale, veroret në duart e fëmijëve, muzikën, ngjyrat dhe energjinë që vetëm Elbasani di ta dhurojë”, – shkruan deputetja, duke sjellë në vëmendje elementët më autentikë të festës që çdo vit tërheqin mijëra vizitorë.

Ajo nënvizon se më 14 Mars “zemra e festës rreh më shumë në Elbasan”, duke e cilësuar këtë datë si një moment kur familjet, miqtë dhe vizitorët nga çdo cep i Shqipërisë mblidhen për të festuar së bashku pranverën, buzëqeshjen dhe shpresën për ditë më të mira.
Me një ftesë të hapur dhe plot emocion, deputetja socialiste e Elbasanit Evis Kushi mbyll mesazhin e saj duke i bërë thirrje të gjithëve të bëhen pjesë e atmosferës unike që ofron qyteti:
“Ju presim në Elbasan — aty ku pranvera fillon me zemër!”

Një thirrje që rikujton se Elbasani, përtej traditës, mbetet epiqendra e një feste që bashkon breza dhe forcon identitetin kulturor shqiptar.

