12 Nëntori, Dita e Çlirimit të Peqinit: Kujtesë dhe mirënjohje për ata që dhanë jetën për lirinë

Nga Genc Gripshi

Peqini përkujton sot, më 12 nëntor, 81-vjetorin e çlirimit nga pushtuesit nazistë, një ditë e shënuar thellë në kujtesën historike të qytetit dhe të gjithë banorëve të tij. Kjo datë mbetet simbol i sakrificës, qëndresës dhe luftës për liri të dhjetëra djemve e vajzave të këtij qyteti, të cilët dhanë jetën për një Shqipëri të lirë.

Historia e atyre ditëve të lavdishme

Në fillim të nëntorit të vitit 1944, Peqini u bë një nga pikat strategjike të rëndësishme për forcat gjermane që po tërhiqeshin nga jugu dhe lindja e vendit drejt Durrësit.

Sipas dokumenteve historike, më 4 tetor 1944 ishte dhënë urdhri për tërheqjen e forcave të Wehrmacht-it nga territori shqiptar. Në Peqin, xhandarmëria e kohës kishte caktuar katër shtëpi dykatëshe që do të shërbenin si hotele për pushimin dhe fjetjen e ushtarëve gjermanë të autokolonave që vinin nga Greqia dhe Jugosllavia, ndërsa dy hotelet modeste të qytetit ishin rezervuar për oficerët.

Në ditët e para të nëntorit, drejt Peqinit u afruan forcat e Brigadës së 11-të dhe Brigadës së 12-të partizane, të cilat kishin për detyrë mbikëqyrjen e rrugës strategjike Elbasan–Peqin–Durrës.

Këto forca hynë të parat në qytet më 12 nëntor, duke çliruar Peqinin, më pas Kavajën më 13 nëntor, Durrësin më 14 nëntor dhe Shijakun më 16 nëntor 1944.

Beteja e Peqinit dhe dëshmitë gjermane

Një dëshmi e rëndësishme për ngjarjet e atyre ditëve gjendet në dokumentet e arkivave gjermane, të zbuluara nga studiuesi Mareglen Kasmi, që përshkruajnë me hollësi lëvizjet dhe humbjet e trupave gjermane gjatë tërheqjes.

Sipas këtyre dokumenteve, më 11 nëntor 1944, forcat gjermane të Divizionit 297 u ndanë në dy autokolona të mëdha:

  • Autokolona “Zajfesd”, që marshoi nga rruga Elbasan–Peqin–Durrës me rreth 3.500 trupa, 500 makina dhe mjete të blinduara;
  • Autokolona “Shtajzer”, me rreth 3.000 trupa, që kaloi përmes Krrabës, por pësoi humbje të rënda nga sulmet e forcave partizane dhe bombardimet e aviacionit anglez.

Në orët e pasdites së 11 nëntorit, pjesa e fundit e autokolonës gjermane që kalonte përmes Lazarej–Lolaj, në afërsi të Peqinit, u sulmua nga forcat e Brigadës së 12-të partizane, ku mbetën të vrarë pesë ushtarë gjermanë.

Disa tanke dhe mjete të blinduara u rikthyen për të ndihmuar forcat e fundit të kolonës, duke arritur të stabilizojnë situatën dhe të tërhiqen në drejtim të Durrësit.

Trupat e pesë ushtarëve gjermanë të vrarë u varrosën në varrezat e lagjes “Çesmë” në Peqin, në mëngjesin e 12 nëntorit 1944. Sipas burimeve, Ambasada Gjermane i ka marrë eshtrat e tyre në vitin 1972, pasi banorët vendas ruanin kujtesën e vendvarrimeve të tyre për dekada me radhë.

Në raportimet e kohës, përmes emisioneve radiofonike pas çlirimit, flitej për rreth 60 ushtarë gjermanë të vrarë, por dokumentet e arkivave gjermane konfirmojnë pesë të tillë në Peqin.

Kujtesa që nuk shuhet

Sot, teksa Peqini kujton ditën e çlirimit, çdo përvjetor është një mundësi për të rikthyer vëmendjen te historia, për të nderuar kujtimin e atyre që dhanë gjithçka për atdheun dhe për të transmetuar te brezat e rinj mesazhin e lirisë dhe qëndresës.

Mirënjohje dhe nderim për bijtë dhe bijat e Peqinit që luftuan me dinjitet për çlirimin e Shqipërisë!

Lavdi e përjetshme dëshmorëve të lirisë!

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Alarm për karburantin e avionëve: BE takim urgjent, kufizime në aeroportet italiane

Bllokimi i zgjatur i Ngushticës së Hormuzit po kthehet...

Presidenti i ri, PDK i vendos kushte Kurtit: Propozimin të na e sjellë të shkruar

Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur kushte për kryeministrin,...

Artemis II, përfundon misioni drejt Hënës: Pamë gjëra që s’i ka parë kurrë asnjë njeri

Astronautët e misionit Artemis II të NASA-s e përmbyllën...