Në 7 shtator 1910, në qytetin e Elbasanit, lindi Aleks Buda, një prej personaliteteve më të rëndësishëm të shkencës shqiptare, historian, studiues dhe akademik, që la gjurmë të thella në historiografinë shqiptare të shekullit XX.
Pasi përfundoi studimet në Itali dhe Austri, Aleks Buda u kthye në Shqipëri, ku, megjithëse i diplomuar në fushën e letërsisë, e orientoi veprimtarinë e tij akademike drejt historisë, duke u afirmuar si një ndër historianët më të shquar të kohës.
Kontributi i tij ishte vendimtar në themelimin dhe drejtimin e institucioneve të dijes në vend. Ai ishte një nga themeluesit e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, institucion të cilin e drejtoi edhe si president për një kohë të gjatë. Nën udhëheqjen e tij, Akademia u shndërrua në një qendër të rëndësishme të kërkimeve historike dhe shkencore në vend.
Aleks Buda ka dhënë një ndihmesë të çmuar në ndërtimin e një historiografie kombëtare të bazuar në fakte, duke pasqyruar me përkushtim zhvillimet historike të shqiptarëve dhe të trojeve shqiptare. Sot, në 115-vjetorin e lindjes së tij, të gjithë kujtojnë me nderim dhe mirënjohje veprën dhe kontributin e një prej mendjeve më të ndritura të kombit shqiptar.
albaniaexpress.al