Zhupa: Në Sarandë mësimi me dy turne dhe pa kushte

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa deklaroi sot se qyteti i Sarandës vijon të përballet me mësimin me dy turne edhe në vitin 2025, ndërsa dy shkollat 9-vjeçare të qytetit detyrojnë nxënësit të ndjekin mësimin e turnit të dytë nga ora 13:00 deri në 18:00.

Sipas saj, ky organizim krijon vështirësi për prindërit dhe ul cilësinë e procesit mësimor.

“Këto shkolla janë të amortizuara, pa laboratorë dhe pa mjetet didaktike të nevojshme, duke mos garantuar standardet e duhura të mësimdhënies”, tha Zhupa.

Ndërkohë, vijoi ajo, një shkollë e re e ndërtuar me 348 milionë lekë nga fondet publike, me emrin “Eco Kampus”, nuk është vënë në funksion për tetë vite.

“Me vendim të pushtetit vendor, kjo godinë është propozuar të jepet për zhvillime private, përfshirë resorte dhe struktura turistike”, tha Zhupa.

Sipas saj, kjo vendimmarrje është e papranueshme dhe në kundërshtim me interesin publik, duke lënë nxënësit e Sarandës pa mundësinë për të mësuar në një shkollë moderne me kushte bashkëkohore.

Ajo i bëri thirrje bashkisë Sarandë të tërhiqet nga kjo vendimmarrje dhe të hapë shkollën e re për nxënësit, duke garantuar mësim me një turn dhe kushte më të mira për fëmijët e qytetit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME