OSBE/ODIHR ka publikuar raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri. Sipas raportit, kandidatët kryesisht mundën të zhvillonin fushatën e tyre lirisht, por mundësitë e garës nuk ishin të barabarta.
Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve shtetërore dhe kapaciteteve institucionale, duke përfshirë shpalljen e faljes së një numri të madh gjobash pak para ditës së zgjedhjeve. Po ashtu, zyrtarë të lartë qeveritarë morën pjesë në një numër të konsiderueshëm aktivitetesh zyrtare që shpesh përkonin me mesazhet e fushatës, duke e bërë të paqartë ndarjen midis shtetit dhe partisë.
Raporti gjithashtu evidenton pretendime për presion ndaj nëpunësve të administratës publike, raste intimidimi ndaj mbështetësve të opozitës dhe përdorim të rrjeteve të patronazhimit, që shkelin standardet ndërkombëtare. Problematike konsiderohen edhe raportimet për shit-blerje votash, tentativat për të ndikuar tek zgjedhësit e marxhinalizuar, si dhe pretendimet për ndikim të elementëve kriminalë në disa parti politike.