Librazhdi u shndërrua këtë prag fundjave në një epiqendër të mesazheve të paqes, artit dhe bashkimit qytetar.
Në ambientet e Pallatit të Kulturës “Sadi Halili”, Këshilli i Paqes Librazhd, me mbështetjen e Bashkisë, organizoi veprimtarinë artistiko-sociale “Zërat e Paqes”, një aktivitet i veçantë që bashkoi rreth 120 Ambasadorë për Paqe, drejtues institucionesh vendore, personalitete të ftuara dhe të rinj plot energji e talent.

Nën moderimin profesional dhe elegant të Ina Karamuçës dhe Artenisa Kujtilës, aktiviteti u çel me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Këshillit të Paqes Librazhd, z. Agim Kujtila, i cili theksoi rëndësinë e promovimit të vlerave të paqes, dialogut dhe solidaritetit në komunitet.

Më pas, të pranishmit u përshëndetën nga figura të rëndësishme të Federatës së Paqes Universale, si Kryetari i Federatës për Shqipërinë, z. Defrim Methasani, Kryetari i Këshillit Rajonal të Paqes Elbasan, z. Fatmir Popja, Sekretari i Përgjithshëm, z. Gani Rroshi, si dhe nënkryetarja e Federatës, Dr. Saemira Pino, të cilët vlerësuan lart këtë nismë dhe zgjodhën të ishin personalisht të pranishëm.

Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte gërshetimi i mesazheve të paqes me artin e bukur.
Interpretimet e shkëlqyera në skenë të talenteve të reja të muzikës të Bashkisë së Librazhdit, nën drejtimin artistik të Shkëlqim Brahjas, krijuan një atmosferë të ngrohtë dhe emocionale.

Rigerta Kojku emocionoi publikun me këngën “Zare Trendafile”, Ajsi Bahiti solli energji me interpretimin e “Kuturru”, Danjela Mojsja magjepsi me një këngë franceze, ndërsa Loria Pëllumbi dhuroi qetësi dhe elegancë përmes një serenate me violinë.

Duartrokitje të veçanta mori edhe regjisori dhe aktori i njohur Aqif Ademi, i cili përshëndeti të pranishmit me një poezi kushtuar Skënderbeut.
Në përmbyllje të aktivitetit, 13 personalitete të shquara të Librazhdit u nderuan me titullin “Ambasador për Paqe”, si vlerësim për kontributin e tyre të çmuar në shërbim të komunitetit dhe promovimin e vlerave njerëzore.

- Azis Lushi, mësues në pension
- Aurika Hoxha, mësuese
- Aishe Kurti, artizane
- Ali Buzra, mësues në pension
- Rrahman Gjeta, sipërmarrës
- Lefterie Hasa, mësuese
- Dashurie Zani, laborante, Spitali Librazhd
- Shpëtim Cura, drejtues i Sektorit të Turizmit, Bashkia Librazhd
- Skënder Karaj, mësues
- Shkëlqim Brahja, instrumentist
- Bardha Ndergjoni, gazetare
- Lulzim Shahinaj, sipërmarrës
- Lyto Alliu, guidë turistike

Një mirënjohje e veçantë iu drejtua Këshillit të Paqes Librazhd për organizimin e një aktiviteti me kaq shumë vlera qytetare, si dhe kryetarit, z. Agim Kujtila, dhe nënkryetares, znj. Fatbardha Alimeta, për përkushtimin, seriozitetin dhe kujdesin në çdo detaj, duke e kthyer “Zërat e Paqes” në një ngjarje që do të mbetet gjatë në kujtesën e qytetit.







