NGA BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Kam premtuar që hera-herës do të merrem me Xhavid Qesjen, burrin e madh të disidencës shqiptare, që i flaku tutje interesat e ngushta përpara atyre të Atdheut dhe popullit të tij.Parimet e tij ishin të hekurta, paçka se, duke nisur nga mosha 36-vjeçare e deri sa mbylli sytë, mbeti pika më referuese e qendrestarit të pashembullt, duke provuar internimin, burgosjen dhe persekucionin e pacak.
Ofertave të Enver Hoxhës për të hequr dorë dhe për t’u bërë pjesë e politikës së tij, Qesja u përgjigjej me refuzim të prerë: “Sytë e hapura nuk mund të mbyllen më. Ju nuk jeni në drejtimin e duhur, prandaj refuzoj të bëhem pjesë dhe të bashkëpunoj me ju.”
Janë arkivuar mbi 50 letra që Xhavid Qesja i ka drejtuar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike, duke argumentuar me fakte dhe analiza teorike e praktike se ku po gabonin. Por në vend të reflektimit, ai u përball me kamxhikun dhe goditjet shtazarake të një regjimi që ishte i destinuar të mos kishte të ardhme.
Në kujtesën historike të diktaturës.Në historinë e errët të diktaturës komuniste në Shqipëri, shumë figura u zhdukën në heshtje. Emrat e tyre u përpoqën të fshihen, zërat të shuhen, kujtimi të tretet. Por disa burra, me qëndresën morale dhe forcën e mendimit kritik, lanë gjurmë që as terrori e as propaganda nuk arritën t’i zhdukin.Ndër këta burra të rrallë është Xhavid Qesja ,disidenti që nuk pranoi kompromis, që sfidoi Enver Hoxhën jo me armë, por me forcën e arsyes, të logjikës dhe të moralit.
Rinia dhe idealizmi
Xhavid Qesja lindi më 25 maj 1922. U formua në një kohë kur rinia shqiptare kërkonte rrugë të reja drejt emancipimit dhe drejtësisë shoqërore. Ai përqafoi marksizmin si ide të barazisë, solidaritetit dhe zhvillimit, por për të, kjo ideologji nuk ishte flamur i verbër,ishte mjet për ndërtimin e një shoqërie të drejtë.Përvoja në Moskë ishte përcaktuese: atje pa me sytë e tij kontradiktat e një sistemi që predikonte barazi, por prodhonte privilegje; fliste për liri, por ushtronte censurë; mbështetej te populli, por frikësohej nga mendimi i lirë. “M’u hapën sytë, kuptova se shoqëria jonë po ecte në një rrugë të gabuar, të deformuar nga pushteti personal.”
Disidenca e hershme, Hungaria 1956
Ngjarjet e Hungarisë ishin një provë e madhe për intelektualët shqiptarë. Regjimi i Tiranës i shpalli ato si “kundërrevolucion” të organizuar nga “imperialistët”. Por Xhavid Qesja pati guximin të shprehte të kundërtën: ato ishin revolucion popullor, ngritje e natyrshme kundër shtypjes.Ky qëndrim e diferencoi menjëherë. Ai tregoi aftësinë për të menduar ndryshe, pa u nënshtruar propagandës – një akt i rrallë rebelimi intelektual që për diktaturën ishte krim i rëndë.
Letrat kundër diktaturës
Internimet dhe burgjet nuk ia mbyllën gojën. Përkundrazi, ai vazhdoi të shkruante. Mbi 50 letra ia dërgoi personalisht Enver Hoxhës.
Në njërën shkruante: “Nuk është socializëm kur populli rron në frikë dhe heshtje, kur partia është kthyer në instrument të një njeriu. Socializmi është liri, diskutim, bindje ,jo urdhër.”
Në një tjetër, e akuzonte drejtpërdrejt për deformim të ideologjisë:
“Ju e keni kthyer marksizmin në vegël të sundimit tuaj personal. Keni mbytur kritikën, keni frikësuar mendimin e lirë, keni ngritur një kult që bie ndesh me çdo parim të barazisë.” Këto letra nuk ishin thjesht shfryrje personale. Ishin dokumente politike me peshë. Çdo fjali ishte akt i qartë disidence, manifest i qëndresës morale në kohë terrori.
Kalvari i internimeve dhe burgjeve
• 1 korrik 1958: Internimi në Zvërnec, tetë vite në izolim të plotë, mes mungesës, ftohtit dhe mjerimit.
• Pastaj Burreli: Ferri i kuq. Qelitë e ftohta, dritaret e vogla, heshtja e detyruar dhe rojet e egër ishin realiteti i përditshëm.
• Më pas Tepelena: Vuajtje çnjerëzore, kushte nën nivelin minimal të mbijetesës.
• Nëntor 1987: Internim në Shijak, pasuar nga një ridënim me 10 vite burg, tregues i frikës së regjimit edhe ndaj një burri të moshuar.
Në çdo etapë të këtij kalvari, Xhavid Qesja ruajti stoicizmin. Në burg nuk kërkoi mëshirë, nuk u përkul dhe nuk u shërbeu. Për shokët e qelisë ishte pikë referimi morale.
Stoicizmi dhe psikologjia e qëndresës
Çfarë e bëri të qëndrojë? Ishte ndërgjegjja. Ai nuk mund të mohonte vetveten, edhe sikur kjo t’i kushtonte jetën.Ai ishte shembulli i njeriut stoik: më mirë të vuante fizikisht, sesa shpirtërisht. Në errësirën më të madhe, ai ruajti dritën e brendshme.
Liria e vonuar
Në shtator 1990, u lirua me amnistinë për të burgosurit politikë. Por kjo ishte liri e vonuar. Vitet më të bukura, energjia dhe jeta familjare ishin sakrifikuar. Megjithatë, ai nuk u shfaq i thyer. Në heshtjen e tij kishte më shumë forcë sesa në çdo fjalim: ishte forca e njeriut që kishte fituar mbi frikën.
Sinjali aktual, Shqipëria ka pasur burra si Xhavid Qesja
Sot, kur e kaluara harrohet dhe e keqja relativizohet, figura e Xhavid Qeses është një thirrje e fuqishme. Shqipëria ka pasur burra që sfiduan një regjim të pamëshirshëm – jo për interes, por për parim. Ai është provë e gjallë se disidenca shqiptare ka ekzistuar. Dhe sot, kur demokracia vihet në provë nga korrupsioni, indiferenca dhe relativizmi moral, shembulli i tij është sinjal i qartë: dinjiteti dhe liria janë vlera që nuk duhen harruar, sepse janë fituar me sakrifica të mëdha.
Epilog
Jeta e Xhavid Qeses është epope e disidencës shqiptare. Ai u përball me burgun, internimin dhe izolimin, por nuk pranoi të dorëzohej. I dërgoi letra diktatorit, duke i thënë të vërtetën në sy.Ai është dëshmi se liria nuk shuhet, edhe kur mbyllet në qeli. Një burrë i rrallë, që sfidoi pushtetin me forcën e parimit. Dhe ky mesazh duhet të mbetet për brezat: Shqipëria ka pasur dhe do të ketë gjithmonë burra që i dalin për zot zhvillimeve dhe ekzistencës së saj.Ky kalorës i përjetshëm i disidencës shqiptare mbylli sytë në Tiranë, më 9 dhjetor 1994.