Në zemër të Vlorës, mbi lagjen e dikurshme të Hebrenjve, po ngrihet Muzeu Hebraik, një projekt kulturor që sjell në vëmendje historinë, mikpritjen dhe humanizmin e qytetit bregdetar. Muzeu do të pozicionohet në sheshin kryesor, pranë tre institucioneve të tjera të rëndësishme: Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Muzeut Historik dhe Muzeut Etnografik, duke e kthyer zonën në një qendër të plotë muzeale.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, njoftoi vijimin e punimeve, duke theksuar se projekti nuk është vetëm restaurim klasik, por një kombinim i arkitekturës tradicionale vlonjate me qasje bashkëkohore dhe teknologji moderne ekspozimi.
“Muret origjinale, struktura mbajtëse dhe elementët tipikë të qytetit do të ruhen me përpikëri, ndërsa muzeu do të pasurohet me arkitekturë moderne dhe teknologji interaktive”, u shpreh ministri.
Projekti, me një fond prej 280 milionë lekësh, është konceptuar nga studio e njohur izraelite “Kimmel Eshkolot Architects” nga Tel Avivi, duke i dhënë muzeut një dimension ndërkombëtar dhe simbolik lidhjes shqiptaro-izraelite.