Vetëparaqitet në polici drejtori i Burgut të Rrogozhinës pas operacionit “Kurtaj”, mohon përfshirjen në kultivimin e kanabisit

 

Vetëparaqitet në polici drejtori i Burgut të Rrogozhinës pas operacionit “Kurtaj”, mohon përfshirjen në kultivimin e kanabisit

PEQIN – Një zhvillim i ri dhe mjaft domethënës ka shoqëruar operacionin policor të koduar “Kurtaj”, ku në një godinë në fshatin Kurtaj, Njësia Administrative Gjocaj e Peqinit, u zbulua një sasi e konsiderueshme bimësh narkotike të kultivuara në ambiente të mbyllura. Burime të besueshme bëjnë me dije se drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, është vetëparaqitur në polici, për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, pasi emri i tij u përfshi në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit si pronar i ambientit ku u zbulua kanabisi.

Vetëparaqitja e tij vjen menjëherë pas shpalljes në kërkim nga ana e Policisë, duke e kthyer këtë lëvizje në zhvillimin më të rëndësishëm të kësaj ngjarjeje. Sipas burimeve, Bilal Hasa ka kundërshtuar pretendimet e bëra në njoftimin zyrtar, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e paligjshme të zbuluar në godinë. Ai mësohet të ketë pohuar se prej disa muajsh nuk ka qenë në atë objekt dhe se nuk ka pasur dijeni për çfarë mund të ketë ndodhur aty.

Një tjetër element që mund t’i japë një drejtim tjetër hetimit lidhet me energjinë elektrike në ambientin ku u zbulua kanabisi. Një burim zyrtar policor bëri me dije se dyshohet që lidhja e paligjshme e energjisë elektrike mund të jetë kryer nga vëllai i Bilal Hasës, i cili jeton në fshat. Sipas të njëjtit burim, ekzistojnë indicie që drejtori i Burgut të Rrogozhinës mund të mos ketë pasur dijeni për aktivitetin e paligjshëm që dyshohet se është zhvilluar në pronën në fjalë.

Kjo pistë pritet të verifikohet nga grupi hetimor, ndërsa vetë deklarimet e Hasës dhe paraqitja e tij vullnetare para Policisë konsiderohen vendimtare për zbardhjen e rolit real të secilit person të përfshirë në këtë çështje.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, operacioni “Kurtaj” u zhvillua nga Drejtoria për Krimet në Volum, në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan.

Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Kurtaj, në bodrumin e një magazine u konstatuan dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin kultivuar rreth 4000 bimë kanabisi. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike, që dyshohet se përdoreshin për mbajtjen në funksion të kësaj veprimtarie kriminale.

Nga veprimet hetimore të kryera, Policia njoftoi se ambienti rezulton në pronësi të shtetasit Bilal Hasa, për këtë arsye i shpallur fillimisht në kërkim. Por zhvillimet e fundit, me vetëparaqitjen e tij në polici dhe deklarimet mohuesе, e zhvendosin tashmë fokusin e hetimit nga pronësia formale e objektit, tek përdoruesit realë të godinës dhe autorët konkretë të aktivitetit të paligjshëm.

Në kuadër të të njëjtit operacion, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, është shpallur në kërkim edhe shtetasi me iniciale E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka pasur persona të tjerë që kanë favorizuar ose mbështetur këtë aktivitet.

Operacioni “Kurtaj” vijon nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, ndërsa grupi hetimor po punon për të dokumentuar të gjithë skemën, për të identifikuar përgjegjësit realë dhe për të përcaktuar qartë nëse drejtori i Burgut të Rrogozhinës ka qenë pjesë e kësaj veprimtarie, apo nëse emri i tij është përfshirë vetëm për shkak të pronësisë së objektit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME