Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, zhvilloi sot një takim me Komandën Kibernetike dhe të Ndërlidhjes me fokus hartimin e një strategjie mbrojtjeje që ka inovacionin në themel të saj.
Ministri Vengu tha se “ngjitja e Shqipërisë në vendin e 1️5 në botë në Indeksin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike (NCSI) na bën edhe më të motivuar për të rritur kapacitetet dhe mbështetjen në fushat e sigurisë së informacionit, infrastrukturës dhe mbrojtjes kibernetike”.
Gjatë takimit me Komandën Kibernetike dhe Ndërlidhjes, të cilën Vengu e cilësoi si qendër rëndese e strategjisë Mbrojtja 2030, ministri i Mbrojtjes theksoi se “u detajua plani i rritjes së kapaciteteve në mënyrë që inovacioni të hyjë në ADN-në e çdo investimi modernizues në të gjithë spektrin e aktivitetit ushtarak dhe civil të Forcave të Armatosura”.
Shqipëria u vlerësua nga National Cyber Security Index (NCSI) në fushën e sigurisë kibernetike, duke u renditur në vendin e 15-të në botë me 85.00 pikë.
Indeksi përfshin 112 shtete dhe vlerëson mbi 40 indikatorë që mbulojnë kuadrin ligjor dhe institucional, mbrojtjen e shërbimeve kritike dhe të dhënave personale, kapacitetet e reagimit dhe menaxhimit të krizave, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.