Me përfundimin e sezonit veror, strukturat vendore në Velipojë janë angazhuar në një aksion të gjerë pastrimi përgjatë vijës bregdetare.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga operacioni, gjatë të cilit u larguan sasi të konsiderueshme mbeturinash dhe ambalazhesh plastike, të mbetura pas fluksit të pushuesve të verës.
Pastrimi i territorit mbetet një prioritet për Bashkinë e Shkodrës, e cila po zbaton paralelisht edhe fushatën për lirimin e hapësirave publike dhe sistemimin estetik të zonës.
Në Velipojë janë vërejtur ndryshime të dukshme në menaxhimin e hapësirave publike, mirëmbajtjen e plazhit dhe përmirësimin e infrastrukturës turistike, duke e kthyer zonën në një destinacion gjithnjë e më të preferuar për pushues vendas dhe të huaj.
Plazhi i Velipojës, një ndër më të gjatat me rërë në Shqipëri, vijon të tërheqë çdo vit mijëra vizitorë, ndërsa përpjekjet për ta mbajtur të pastër dhe të rregullt synojnë ta bëjnë atë një model të turizmit të qëndrueshëm në veri të vendit.