Për të pestën natë me radhë, policia në Serbi është përleshur me protestuesit në disa qytete nëpër Serbi.
Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç ka thënë në një konferencë për media në Beograd, pak para mesnatës, se ka pasur “shkelje drastike të rendit publik”.
Përleshjet më të dhunshme janë regjistruar në Valljevë, në perëndim të Serbisë, pasi zyrat e Partisë Përparimtare të Serbisë – parti e presidentit, Aleksandar Vuçiç – janë përfshirë nga flakët.
Incidente të ngjashme janë regjistruar në ditët e fundit edhe në shumë qytete tjera, përfshirë kryeqytetin, Beogradin.
Daçiq ka thënë se në Valljevë janë sulmuar edhe ndërtesa e gjykatës dhe zyra e prokurorit, si dhe ato të administratës së qytetit. Në protesta janë dëmtar rëndë edhe zyrat e Partisë Radikale Serbe – parti e ekstremit të djathtë – të udhëhequr nga krimineli i luftës, Vojisllav Sheshel.
Në disa incizime janë parë zyrtarët policorë duke hedhur gaz lotsjellës, bomba zanore dhe duke i shpërndarë protestuesit, të cilët kanë gjuajtur me sende në drejtim të tyre.
Skenar i ngjashëm ka ndodhur edhe në Beograd, ku protestuesit janë mbledhur para selisë së partisë Vuçiçit, mirëpo më vonë janë shpërndarë nga policia përmes gazit lotsjellës.
Përleshjet kanë shpërthyer pas disa fotografive të publikuara në rrjetet sociale, në të cilat shihen disa të rinj të ndaluar nga autoritetet ditëve të fundit në Novi Sad. Ata shihen të gjunjëzuar me shpinën e kthyer kah zyrtarët policorë në momentin e arrestimit.