Në Nyon të Zvicrës është hedhur shorti i kualifikueseve për Botërorin “Brazil 2027” në futbollin e femrave, ku kombëtarja shqiptare mësoi kundërshtaret e saj në rrugëtimin drejt evenimentit më të madh të futbollit botëror.
Skuadra kuqezi, e drejtuar nga trajneri Armir Grima, ishte pjesë e vazës së tretë në short dhe u vendos në Grupin B, së bashku me Uellsin, Çekinë dhe Malin e Zi. Tre kundërshtarë që premtojnë përballje të forta dhe të ekuilibruara, ku Shqipëria do të kërkojë të tregojë rritjen e saj të vazhdueshme në arenën ndërkombëtare.
Kualifikueset do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, ndërsa nisja zyrtare e fushatës do të jetë në shkurt të vitit 2026.
Sipas kalendarit të përcaktuar nga UEFA, dy ndeshjet e para vajzat kuqezi do t’i luajnë mes 26 shkurtit dhe 7 marsit, dy të radhës midis 9 dhe 18 prillit, ndërsa faza do të mbyllet me takimet përfundimtare që do të zhvillohen nga 3 deri më 9 qershor 2026.
Pas përfundimit të ndeshjeve në grupe, skuadrat do të garojnë për vendet e mbetura përmes fazës së Play Off-it, ku Shqipëria do të ketë shansin të vazhdojë rrugëtimin drejt Botërorit nëse renditet mes tre të parave të grupit.
Kombëtarja e femrave ka treguar progres të dukshëm vitet e fundit, si në aspektin e lojës ashtu edhe në organizim, dhe synon të vijojë rritjen në këto eliminatore, duke përfaqësuar me dinjitet futbollin shqiptar në arenën europiane.

