ELBASAN – Një moment historik për gjuhën dhe albanologjinë shqiptare u shënua sot në Universitetin e “Aleksandër Xhuvani ” të Elbasanit, ku studentë dhe pedagogë së bashku me përfaqësues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, profesorë, studiues dhe mësues të gjuhës shqipe të gjimnazeve të qytetit, morën pjesë në promovimin e veprës monumentale “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”, organizuar nga Departamenti i Gjuhësisë në Fakultetin e Shkencave Humane.
Ky event u shndërrua në një festë të dijes dhe të identitetit kombëtar, duke nxjerrë në pah rëndësinë e universitetit në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Aktiviteti u ndoq me vëmendje nga të gjithë pjesëmarrësit, të cilët vlerësuan kontributin e madh të stafit akademik dhe të studentëve në realizimin e kësaj vepre leksikografike.
Në hapje të aktivitetit, Prof. dr. Elvira Fetahu, Rektore e Universitetit të Elbasanit, mbajti fjalën përshëndetëse .Në fillim
falënderoi gjithë pjesëmarrësit dhe më pas fjalimin ja kushtoi nxjerrjes në pah të rëndësisë historike dhe akademike të Fjalorit:

Fjalimi i plotë i Prof. Dr. Elvira FETAHU ,
Rektore e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” -Elbasan
I nderuar Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Prof. Dr. Skënder Gjinushi !
I nderuar Drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Akademik Prof. Dr. Valter Memisha!
Të nderuar përfaqësues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë !
Të nderuar profesorë, kolegë, studiues
Të nderuar mësues të gjuhës shqipe të gjimnazeve të Elbasanit!
Shumë të dashur studentë, nxënës dhe maturantë!
Është një nder i veçantë që në këtë ditë të shënuar, mblidhemi për të kremtuar një prej arritjeve më madhore të albanologjisë: promovimin e Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe. Ky aktivitet nuk është thjesht një takim akademik, por një kremtim i identitetit tonë kombëtar, i cili merr një peshë edhe më të madhe pasi zhvillohet në kuadër të një viti të rëndësishëm jubilar për institucionin tonë. Viti 2026 shënon një moment reflektimi dhe krenarie të ligjshme, teksa festojmë 55-vjetorin e rrugëtimit tonë si Institut i Lartë Pedagogjik dhe 35-vjetorin e marrjes së statusit si Universitet.

Kur kthejmë kokën pas në vitin 1971, kujtojmë me respekt se ILP-ja e nisi veprimtarinë e saj me katër shtylla kryesore të mësuesisë: gjuhë-letërsi, matematikë-fizikë, histori-gjeografi dhe biologji-kimi. Prandaj, sot ne nuk festojmë vetëm rritjen e universitetit, por shënojmë edhe 55-vjetorin e vetë programit të studimit Gjuhë-Letërsi, i cili ka qenë qënë zanafillë, zemra rrahëse e formimit intelektual në qytetin e Elbasanit.
Ky rrugëtim shkencor që kulmon sot me këtë vepër monumentale leksikografike, është një histori që kalon natyrshëm nëpër Elbasan, duke u ushqyer nga trashëgimia e kolosëve tanë. Ky fjalor mban brenda frymën e Kostandin Kristoforidhit, i cili hodhi themelet e studimit shkencor të fjalës shqipe, gjenialitetin e Kostaq Cipos dhe mendjen e ndritur të Aleksandër Xhuvanit, emrin e të cilit ne e mbajmë me nder e përgjegjësi të lartë.

Ky zinxhir dijesh nuk u këput kurrë, por u pasurua ndër vite nga puna e profesor Pavli Haxhillazit dhe nga përfshirja e drejtpërdrejtë e stafit tonë aktual akademik, të cilët me përkushtim u bënë pjesë aktive e këtij projekti kombëtar. Universiteti ynë e vlerëson këtë fjalor si një busull për çdo profesionist, mësues e pedagog, por mbi të gjitha për studentët tanë të gjuhësisë dhe mësuesisë, të cilët do të jenë gardianët e ardhshëm të standardit dhe bukurisë së gjuhës shqipe.
Sot, Fakulteti i Shkencave Humane paraqitet si një qendër elitare e kërkimit shkencor, duke dëshmuar se tradita dhe moderniteti mund të bashkëjetojnë në mënyrë të suksesshme përmes një vizioni të qartë akademik. Në këtë kuadër, jemi krenarë që zhvillojmë ciklin e tretë të studimeve me Doktoraturën në Albanologji, nënfusha Gjuhësi dhe Studime Historike.

Doktorantët tanë zhvillojnë kërkimin shkencor jo vetëm në Shqipëri, por edhe përmes mobiliteteve të programit Erasmus+, siç është rasti konkret i bashkëpunimit me Universitetin e Beogradit, duke kontribuar në avancimin e dijes në fushën e albanologjisë. Ky vizion për kërkimin dhe ndërkombëtarizimin mbështetet fort mbi cilësinë e stafit tonë akademik.
Është vendi për të theksuar se Departamenti i Gjuhësisë mban sot peshën e vet të rëndësishme të kërkimit në shkallë fakulteti, duke shënuar numrin më të lartë të botimeve në revista shkencore të indeksuara në Scopus, si dhe një varg monografish me vlerë të lartë shkencore, të cilat pasurojnë bibliotekën tonë albanologjike.

Ky përkushtim është përforcuar edhe me përfshirjen e universitetit tonë në rrjetin prestigjioz të bursave Marie Skłodowska-Curie (MSCA), duke i dhënë kërkimit tonë një dimension të mirëfilltë evropian. Në këtë kontekst, Departamenti i Gjuhësisë vijon të konsolidojë pozitat e tij si një vatër e rëndësishme e prodhimit të dijes dhe standardeve akademike.
Një dëshmi e qartë e këtij vitaliteti ishte edhe organizimi, për herë të parë vitin e kaluar, i “Ditës së Doktoraturës”, një veprimtari që u krijoi hapësirën e nevojshme kërkuesve të rinj të ballafaqojnë tezat e tyre dhe të reflektojnë mbi qasjet bashkëkohore të kërkimit. Kjo performancë e lartë reflektohet natyrshëm edhe në proceset e akreditimit të programeve të studimit, ku vlen të veçohet suksesi i Masterit të Shkencave në Gjuhësi, i cili ka marrë vlerësimin maksimal me një akreditim 5-vjeçar.

Krahas kësaj, miratimi i programit të studimit edhe në gjuhën angleze dëshmon gatishmërinë tonë të plotë për t’u matur me standardet globale të mësimdhënies dhe për t’u hapur drejt botës. Promovimi i këtij Fjalori të Madh nuk është thjesht një akt shkencor, por një mision që forcon themelet e “atdheut tonë të parë” që është gjuha shqipe.
Teksa nderojmë sot 55 vitet e historisë sonë si vatër e pedagogjisë dhe 35-vjetorin e rrugëtimit tonë si Universitet, kjo vepër vjen si dëshmia më e lartë e qëndresës dhe rritjes sonë institucionale. Le të shërbejë ky monument i fjalës si një burim frymëzimi për të gjithë ne, që ta duam, ta mbrojmë dhe ta lartësojmë shqipen çdo ditë e më shumë, si trashëgiminë më të çmuar që u lemë brezave që vijnë.


