Universiteti “Aleksandër Xhuvani” nderon Prof. Dr. Fioralba Cakonin, matematikanen elbasanase, shkencëtare e elitës botërore në Amerikë

Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan u shndërrua këtë fund Janari të 2026 në një pikë takimi të dijes, krenarisë kombëtare dhe frymëzimit akademik, gjatë një aktiviteti të veçantë kushtuar Prof. Dr. Fioralba Cakonit, shkencëtares së shquar shqiptare në fushën e matematikës e cila jeton dhe punon prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aktiviteti u zhvillua në prani të autoriteteve më të larta drejtuese të universitetit, pedagogëve, studiuesve, si dhe studentëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ndërsa të pranishëm ishin edhe kolegë të saj nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Rektorja e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Prof. Dr. Elvira Fetahu, vlerësoi lart figurën shkencore dhe njerëzore të Prof. Dr. Fioralba Cakonit, duke e cilësuar atë si një shembull të rrallë të suksesit shqiptar në arenën ndërkombëtare të shkencës.

“Sot kemi nderin dhe kënaqësinë të mirëpresim dhe të vlerësojmë një figurë të shquar të shkencës shqiptare, Prof. Dr. Fioralba Cakoni, një emër që përfaqëson dinjitetin, përkushtimin dhe ekselencën akademike. Ajo është dëshmi e gjallë se dija nuk njeh kufij dhe se shkenca shqiptare ka zë dhe peshë në botë,” – u shpreh Rektorja Fetahu.

Ajo theksoi se rrugëtimi i Prof. Dr. Cakonit përbën një model frymëzimi për brezat e rinj, veçanërisht për studentët dhe vajzat që ndjekin shkencat ekzakte:

“Në një fushë historikisht të dominuar nga burrat, Fioralba Cakoni ka arritur të ndërtojë një karrierë të jashtëzakonshme, duke thyer barriera dhe duke hapur rrugë për shumë të tjerë. Ajo na tregon se puna e palodhur, pasioni për dijen dhe integriteti profesional janë çelësi i suksesit të vërtetë.”

Rektorja Fetahu vlerësoi gjithashtu kontributin e saj të vazhdueshëm në promovimin e Shqipërisë në arenën akademike ndërkombëtare, duke nënvizuar se universitetet shqiptare duhet të forcojnë lidhjet me figura të tilla të spikatura të diasporës shkencore.

Prof. Dr. Fioralba Cakoni është një nga matematikanet më të njohura shqiptare në botë. E diplomuar në Universitetin e Tiranës në vitin 1987, ajo vijoi karrierën akademike me bashkëpunime ndërkombëtare, përfshirë Universitetin e Patras, ku në vitin 1996 mori titullin Profesor Doktor.

Kontributi i saj i vyer pranë Katedrës së Matematikës në Universitetin e Tiranës u vlerësua nga Humboldt Research, çka i hapi rrugën zhvendosjes në SHBA për kërkime shkencore të avancuara.

Falë punës së saj kërkimore dhe dhjetëra publikimeve shkencore, Prof. Dr. Cakoni është zgjedhur anëtare bordi në disa prej revistave dhe botimeve më prestigjioze shkencore në Hong-Kong, Paris, Londër, Kanada, Gjermani dhe SHBA.

Në janar të këtij viti, ajo u nderua me Çmimin e Nderit të Shoqatës së Matematikanëve të Amerikës (AMS), një nga vlerësimet më të rëndësishme në botën e matematikës, nga një organizatë me histori që daton që prej vitit 1888.

Aktualisht, Prof. Dr. Fioralba Cakoni ushtron aktivitetin e saj si matematikane dhe eksperte e Teorisë së Shpërndarjes së Anasjelltë, si dhe është pedagoge në Universitetin Rutgers, në New Jersey, ku krahas angazhimit akademik, vazhdon të promovojë me krenari emrin e Shqipërisë.

Aktiviteti në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” u mbyll mes duartrokitjeve dhe vlerësimeve, duke përcjellë një mesazh të fortë: Shkenca shqiptare ka ambasadorë të denjë në botë dhe universitetet shqiptare mbeten hapësira ku këto histori suksesi nderohen dhe frymëzojnë brezat e ardhshëm.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

AF Elbasani gati për sfidën e madhe në “Air Albania” ,verdheblutë përballë Dinamo City

Të shtunën në mbrëmje, “Air Albania” do të jetë...

Rauf Dimraj shpirti sportiv që fluturon mbi kujtimet dhe ëndrrat

-Dritarja ku frymëzimi takon veprën Nga BUJAR QESJA Mjeshtër i Madh Një...

Erion Braçe dhe sfida ndaj politikës së mbyllur

  E kam njohur Erion Braçen kur ishte shumë i...