Ukraina pret rundin e ri të bisedimeve trepalëshe në Emiratet e Bashkuara Arabe

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se një rund i ri bisedimesh trepalëshe me Moskën dhe Uashingtonin është caktuar për datat 4-5 shkurt në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa takimi vjen pas një rundi tjetër sulmesh ajrore vdekjeprurëse ruse ndaj objekteve civile.

Në fjalimin e tij të përnatshëm me video të dielën, Zelensky tha se ekziston “një marrëveshje për të mbajtur një takim trepalësh në një nivel të përshtatshëm, të mërkurën dhe të enjten në Emiratet e Bashkuara Arabe, si herën e kaluar”.

Zelensky të  shtunën  tha se ekipi i tij ishte gati për negociata të tilla, por se po priste përgjigje nga Shtetet e Bashkuara.

“Kam planifikuar një takim për 2 shkurtin me Rustem Umerovin”, tha Zelensky, duke iu referuar negociatorit kryesor të Kievit.

Udhëheqësit ukrainas synojnë “të bien dakord për kornizën e bisedimeve në Abu Dhabi dhe të përgatisin gjithçka.

“Shkurti do të jetë një periudhë e aktivitetit mjaft intensiv të politikës së jashtme nga ana jonë, me kontakte dhe takime që fillojnë që nesër. Ne presim që pala amerikane të jetë po aq aktive, dhe veçanërisht kjo vlen për masat e de-përshkallëzimit, uljen e sulmeve. Dhe shumë varet nga ajo që pala amerikane do të arrijë, në mënyrë që njerëzit t’i besojnë si procesit ashtu edhe rezultateve, natyrisht”, shtoi ai.

Negociatat e drejtpërdrejta që përfshijnë Moskën dhe Kievin, së bashku me përfaqësues amerikanë, rifilluan në Abu Dhabi më 23-24 janar. Takimet mes negociatorëve ukrainas dhe rusë kanë qenë të rralla që nga pushtimi në shkallë të plotë i Kremlinit në shkurt të vitit 2022.

Më 30 janar, i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, u takua me negociatorin e Kremlinit, Kirill Dmitriev, në Miami për ato që ai i përshkroi si “takime produktive dhe konstruktive”.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME