UGSH mbështet protestat ndaj shkeljeve të ligjit për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut

TIRANË, 5 prill /Albania Express News/ Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) shprehu sot shqetësim për moszbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke e konsideruar këtë si një shkelje të të drejtave themelore dhe parimeve kushtetuese të vendit.

Në një njoftim për shtyp, UGSH thekson se praktikat e deritanishme në jetën publike, proceset administrative dhe marrëdhëniet politike mes etnive tregojnë një mungesë respekti ndaj të drejtës për gjuhën shqipe, një kriter bazik për integrimin europian dhe bashkëjetesën etnike.

“Republika e Maqedonisë së Veriut si vend kandidat për anëtar në BE, nuk ka se si të pranojë që në një shoqëri me bashkëjetesë etnike e drejta themelore për përdorimin e gjuhës është kriter kryesor. Ky kriter garantohet nga Kushtetuta dhe është bazik për ekzistencën e vetë republikës dhe mbarësisë së saj.
Praktikat dhe sjelljet e deritanishme të vërejtura në jetën publike, në procese administrative dhe sidomos në marrëdhëniet dhe komunikimet politike mes dy etnive, nga autoritete dhe përfaqësues politikë maqedonas, janë reminishenca të së shkuarës dhe dëshmi e ndërgjegjeve të molepsura nacionaliste”, thuhet në njoftimin për shtyp të UGSH.

Unioni u bën thirrje medieve dhe gazetarëve maqedonas të raportojnë objektivisht çdo rast që cenon këtë të drejtë, duke përfshirë veprimet e zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe qeveritarë.

UGSH mbështet protestat e paralajmëruara nga studentët shqiptarë dhe fton gazetarët e saj të jenë pjesë e raportimit të tyre në spektër sa më të gjerë mediatik, kombëtar dhe ndërkombëtar.

Po ashtu, UGSH përkrah Unionin e Studentëve Shqiptarë dhe kërkon nga institucionet e larta të Shqipërisë dhe përfaqësuesit e saj në organizmat ndërkombëtarë të ndërmarrin masa për garantimin dhe zbatimin e të drejtës për gjuhën shqipe në vendin fqinj.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME