UGSH Dega Durrës reagon për presion ndaj gazetarit Aldo Mustafa gjatë ushtrimit të detyrës

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Durrës, ka reaguar zyrtarisht lidhur me një situatë shqetësuese të krijuar gjatë ushtrimit të detyrës nga gazetari Aldo Mustafa në qytetin e Durrësit, duke e cilësuar atë si një pengesë të pajustifikuar dhe arbitrare ndaj misionit të medias për informimin e publikut.

Sipas reagimit të UGSH-së, gazetari Aldo Mustafa është përballur me presion gjatë raportimit në terren, teksa po filmonte veprimet e Policisë së Shtetit për vendosjen e masave administrative ndaj drejtuesve të automjeteve në një segment rrugor në dalje të qytetit të Durrësit. Bëhet fjalë për një zonë ku prej muajsh po zhvillohen punime infrastrukturore dhe ku mungon sinjalistika përkatëse, ndërkohë që qytetarët ndëshkohen me gjoba për parkim të gabuar, pa pasur alternativa parkimi në qytet. Për UGSH-në, kjo e bën raportimin mbi këtë situatë një çështje me interes të drejtpërdrejtë publik.

Në reagim theksohet se punonjësit e Policisë Rrugore nuk kanë pranuar identifikimin e gazetarit, pavarësisht se ai ka paraqitur kartën e gazetarit edhe në formë virtuale. Ky veprim konsiderohet nga UGSH si një precedent i gabuar, që bie ndesh me frymën e bashkëpunimit institucional mes Policisë së Shtetit dhe medias.

Po ashtu, sipas Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, nuk është marrë parasysh as fakti që në mbështetje të gazetarit kanë mbërritur menjëherë kolegë të tij, të pranishëm në terren, të cilët kanë konfirmuar se Aldo Mustafa ndodhej në ushtrim të rregullt të detyrës dhe në përmbushje të misionit të tij profesional.

UGSH shpreh shqetësimin se presioni i ushtruar ndaj gazetarit, përfshirë veprime të perceptuara si tentativë për ta penguar të vijojë punën, krijon një klimë të papranueshme për punën e medias dhe cenon drejtpërdrejt të drejtën e publikut për t’u informuar në mënyrë të paanshme dhe transparente.

Në vijim, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Durrës, rithekson se detyra e gazetarit është të informojë publikun për çështje me interes publik, përfshirë edhe veprimtarinë e institucioneve shtetërore dhe agjencive ligjzbatuese, veçanërisht kur bëhet fjalë për masa që prekin drejtpërdrejt qytetarët.

Sipas UGSH-së, filmimi dhe dokumentimi i veprimeve të Policisë së Shtetit, kur kryhen në hapësira publike dhe në respekt të perimetrit të sigurisë, nuk përbëjnë shkelje, por janë pjesë e ushtrimit normal të profesionit të gazetarit. Në këtë kontekst, Unioni ngre edhe pyetjen mbi arsyen pse filmimi duhet të perceptohet si kërcënim për punonjësit e policisë, nëse veprimet e tyre janë në përputhje të plotë me ligjin dhe procedurat.

UGSH thekson se transparenca në ushtrimin e detyrës forcon besimin e publikut dhe nuk duhet të shikohet si pengesë, ndërsa rithekson se asnjë punonjës policie nuk mund dhe nuk duhet të pengojë një gazetar në ushtrimin e detyrës, për sa kohë ky i fundit respekton ligjin dhe rregullat e sigurisë.

Në përfundim, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Durrës, kërkon reflektim mbi këtë rast dhe i bën thirrje Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës që të ndërmarrë masa për rritjen e ndërgjegjësimit të punonjësve të saj mbi rolin e medias dhe domosdoshmërinë e respektimit të lirisë së informimit.

“Respekti për gazetarin në detyrë është respekt për të drejtën e publikut për t’u informuar,” përfundon reagimi i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Dega Durrës.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

AF Elbasani gati për sfidën e madhe në “Air Albania” ,verdheblutë përballë Dinamo City

Të shtunën në mbrëmje, “Air Albania” do të jetë...

Rauf Dimraj shpirti sportiv që fluturon mbi kujtimet dhe ëndrrat

-Dritarja ku frymëzimi takon veprën Nga BUJAR QESJA Mjeshtër i Madh Një...

Erion Braçe dhe sfida ndaj politikës së mbyllur

  E kam njohur Erion Braçen kur ishte shumë i...