Në fshatin Llugë të Podujevës u përurua sot shtatorja e heroit të kombit, Afrim Zhitia, ndërkohë që u rinovua edhe obelisku dhe hapësira përreth tij. Ceremonia u shoqërua me homazhe e pjesëmarrje të qindra qytetarëve, duke e kthyer këtë moment në një akt të rëndësishëm kujtese kombëtare.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendosja e shtatores është një nderim i përjetshëm për figurën e Zhitisë, i cili bashkë me Fahri Fazliun u bë simbol i rezistencës dhe i luftës për liri.
“Shoqëritë më përparimtare kanë ditur të ruajnë kujtesën për ngjarjet dhe personalitetet që i kanë shënuar ato. Sot, në vendlindjen e Afrimit, po shtohet një vepër monumentale që do të kujtojë përherë heroizmin e tij dhe të brezit që sakrifikoi për Kosovën”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se, përveç akademive përkujtimore të mbajtura ndër vite, tashmë edhe vendlindja e Zhitisë pasurohet me një skulpturë që mbetet shenjë e gjallë e respektit dhe mirënjohjes së përjetshme për të rënët e kombit.
Shtatorja e Afrim Zhitisë vjen si një dëshmi e qartë se Kosova e lirë vazhdon të nderojë figurat e saj historike, duke i kthyer ato në pjesë të kujtesës dhe identitetit të përbashkët.