Pavarësisht temperaturave të ulëta dhe dimrit, Puka vazhdon të mbajë gjallë ritmin e turizmit dimëror.
Të apasionuarit pas natyrës, maleve, dëborës, por edhe qetësisë që ofron ky qytet i vogël, gjejnë në Pukë pikërisht atë çka u mungon në përditshmërinë e tyre.
Një prej tyre është edhe William Daily, turist nga Florida e SHBA-së, i cili ka zgjedhur të kalojë disa ditë në Pukë.
“Jemi nga Amerika, nga Florida. Shfrytëzuam pushimet për të udhëtuar. Morëm një makinë me qira, u nisëm nga Rinasi drejt Pukës dhe më pas do të vijojmë nëpër Shqipëri. Pse Puka? Kemi një mik që ka jetuar këtu dhe na e sugjeroi. Është qytet i vogël, i qetë, shumë mikpritës. Ushqimi është i shijshëm dhe sidomos pak raki për t’u ngrohur në këtë të ftohtë. Më pas do të vazhdojmë udhëtimin drejt Shkodrës dhe Jugut të Shqipërisë”, tha turisti William Daily.
Operatorët turistikë thonë se gjatë dy viteve të fundit Puka ka përjetuar rritje të ndjeshme të vizitorëve, duke u shndërruar në një pikë të rëndësishme lidhëse mes Alpeve të Veriut dhe Kosovës.
Me qetësinë e saj, bukuritë natyrore në verë e dëborën në dimër kur mbulon malet, Puka po shndërrohet në një destinacion për turizmin gjithëvjetor.



