Çmimi Nobel në Fizikë për vitin 2025 iu dha tre shkencëtarëve — britanikut John Clarke, francezit Michel Devoret dhe amerikanit John Martinis — për zbulimet e tyre novatore në fushën e mekanikës kuantike.
Në ceremoninë e zhvilluar të martën në Stokholm, Komiteti Nobel njoftoi se çmimi u akordua “për zbulimin e tunelizimit kuantik mekanik makroskopik dhe të kuantizimit të energjisë në një qark elektrik”.
Në arsyetimin e tij, Komiteti theksoi se fituesit “kanë treguar se vetitë e çuditshme të botës kuantike mund të bëhen konkrete edhe në sisteme të mëdha, aq sa mund të mbahen në dorë”, duke hapur kështu horizonte të reja për zhvillimin e teknologjive kuantike dhe kompjuterëve kuantikë.
Kjo arritje konsiderohet një hap i madh drejt kuptimit dhe zbatimit praktik të fenomeneve kuantike në shkallë makroskopike — diçka që deri tani ishte vetëm teorike.
Vitin e kaluar, çmimi Nobel në Fizikë iu dha Geoffrey Hinton dhe John Hopfield, për punën e tyre themelore në inteligjencën artificiale dhe mësimin e makinerive, që shënoi një pikë kthese në zhvillimin e teknologjive moderne të AI-së.
Në vitin 2023, çmimi iu dha një tjetër trioje shkencëtarësh evropianë, të cilët përdorën lazerët për të ndjekur lëvizjen e shpejtë të elektroneve, duke arritur një tjetër rekord shkencor.
Çmimi Nobel në Fizikë 2025 shoqërohet me një shumë prej 11 milionë koronash suedeze (rreth 1 milion dollarë amerikanë).